Përfundon takimi i Kurtit me pesëshen ndërkombëtare, deklarohet Lajçak

Aktuale

Përfundon takimi i Kurtit me pesëshen ndërkombëtare, deklarohet Lajçak

Më: 20 janar 2023 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 13:47 më 20.01.2023
Emisarët ndërkombëtarë

Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë, por i sinqertë dhe i hapur

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur jo të lehtë, por të sinqertë dhe hapur takimin e sotëm me kryeministrin, Albin Kurti. Megjithatë, ai ka thënë se ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit mbi dy orësh të pesë emisarëve ndërkombëtar me kryeministrin Kurti, vetëm Lajçak u prononcua shkurtazi para mediave.

Ai tha se BE-ja dhe ShBA-të janë të angazhuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi ardhur sot këtu me një delegacion shumë të fuqishëm nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, që është një sinjal në vetvete se ne jemi shumë të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të gjitha këto fuqi e kanë hedhur peshën e tyre në këtë nismë. Dhe sigurisht, qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte që të diskutohej propozimi për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator, e më pas në dhjetor. Ne kaluam më shumë se dy orë në takimin me Kryeministrin, gjë që tashmë ju tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë, shumë i hapur”, tha ai.

I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun, shtoi se në këtë pikë, ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Lajçak: Kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë tani për në Beograd, pra, nuk mund të them shumë. Ajo që megjithatë dua të them në këtë pikë është se ne kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim, shpresoj se do të arrijmë aty, në kuptimin e plotë dhe përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi, ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, shtoi Lajçak.

Gjatë takimit me Kurtin, përveç Lajçak, ishte edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne dhe këshilltari diplomatik i kryeministres së Italisë, Francesco Maria Talò.

Pas takimit me Kurtin, emisarët ndërkombëtar do të udhëtojnë për në Beograd, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak: Kemi pritur mirëkuptim më të madh për propozimim e BE-së

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një deklaratë para mediave, tha se delegacioni ka pritur kuptim më të mirë rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.

Lajçak tha se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti, ishte diskutimi i propozimit për normalizim, të cilin, siç tha ai, i kishin prezantuar Kurtit në shtator, si dhe më vonë në muajin dhjetor[ të vitit të kaluar].

Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim.

Paraditen e së premtes, kryeministri Kurti priti në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Francës, Emmanuel Bonne, atë të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Emisarët ndërkombëtarë qëndruan në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas vizitës në Prishtinë, ata do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

​Lajçak shkurtimisht: Të gjitha energjitë janë fokusuar te dialogun dhe marrëveshja

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me emisarët ndërkombëtar, Lajçak dhe Escobar, si dhe këshilltarët e Macron, Scholz, Maria Talo.

Para mediave u prononcua emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili nuk dha shumë detaje, por tha se takimi ishte i hapur dhe se gjitha energjitë tani janë të fokusuar në planin e BE-së për dialogun dhe arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pesëshja ndërkombëtare ende në zyrën e Kurtit

Delegacioni i pesëshes ndërkombëtare, i përbërë nga emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministrit të Italisë, Francesco Talo vazhdojnë të jenë në zyrën e kryeministrit Kurti, në takimin që ka nisur rreth dy orë më parë.

Pesëshja ndërkombëtare u njoftua se do të diskutojë me Kurtin për “procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.

Kjo vizitë e nivelit të lartë vjen në vazhdën e paralajmërimeve për arritjen e një marrëveshjeje bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të BE-së, apo të ashtuquajturin planin franko-gjerman për dialogun.

Pas takimit nuk është bërë e ditur nëse do të ketë deklarime për media.

Delegacioni nga BE dhe SHBA-ja pas Kosovës do të qëndrojë për vizitën edhe në Beograd, ku do të kenë takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Fillon takimi mes emisarëve dhe kryeministrit Kurti

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i kanë shkuar në takim një delegacion i zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dinamizuar dialogun Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe këshilltarin diplomatik të kryeministres së Italisë, Francesco Maria Talò, si dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shkuan të takim Kurtit në objektin qeveritar.

Kjo vizitë e nivelit të lartë vjen në vazhdën e paralajmërimeve për arritjen e një marrëveshje bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të BE-së, apo ashtuquajturin plani franko-gjerman për dialogun.

Pas vizitës me Kurtin, delegacioni BE-ShBA do të vizitojnë Beogradin, ku pritet të takohen edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Siç është raportuar, në kuadër të planit të BE-së për dialogun është paraparë që deri në fund të muajit mars të ketë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pesë emisarë vijnë sot në Kosovë, çka pritet nga këto vizita?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë sot në takim Emisarin e posacëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez- Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Në takim do të jenë edhe këshilltari diplomatik i kryeministrit Italian Francesco Maria Talò dhe emisari i posacëm i SHBA-së, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kurtit, takimi do të zhvillohet nga ora 10:00.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.

Për këto vizita, ka folur edhe Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Sipas Chollet, ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përsëri, është shumë e rëndësishme që vizitat bëhen dhe që palët bisedojnë. Kjo vizitë është një vazhdim i vizitave të mëparshme, në fund të vitit të kaluar. Është një moment shumë i rëndësishëm. Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Nuk presim që kjo situatë të zgjidhet gjatë këtyre takimeve nesër. Por, është një pikë e rëndësishme kthese. Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë”, ka deklaruar Chollet për REL.

Këto vizita i kishte paralajmëruar Presidentja Vjosa Osmani, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Osmani kishte thënë se emisarët do të vijnë për të dhënë përgjigje lidhur me pyetjet që ajo ka parashtruar rreth planit franko-gjerman.

“…për të gjitha këto çështje që i kam shtruar, do të marrim përgjigje nga ana e emisarëve të tyre, nga këshilltarët respektivë, të cilët po besoj që në pjesën e parë të janarit do të vijnë në Kosovë dhe po besoj që të gjitha këto shqetësime që i kemi, t’i sqarojnë. Emisarët e Gjermanisë dhe Francës, por që besoj që në atë takim do t’u bashkohet edhe Emisari i ShBA’së, sepse për ne prezenca e Shteteve të Bashkuara është esenciale në këto takime”, kishte deklaruar Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat