Kurti: Ligji i pagave sjell barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive

Aktuale

Kurti: Ligji i pagave sjell barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 13:04
Kryeministri Albin Kurti

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro për vitin 2023, është bërë e ditur sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, kathënë se përmes Ligjit të Pagave kanë synuar të arrijnë të barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerë, si dhe mbështetje solide për mjekët, arsimtarët, policët dhe ushtarakëve.

Ai ka thënë se vlera e koeficientit të pagës për çdo vit do të llogaritet në kuadër të planifikimeve për buxhetin, derisa ka potencuar se në bazë të llogaritjeve vlera e koeficientit vitin e ardhshëm do të jetë 110 euro.

Kurti: Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro

“Pas këtij procesi voluminoz dhe shumë kompleks është mbërritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105 euro. Ndërsa në janar të vitit 2024, sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve do të jetë 110 euro. Me këtë ndryshim-plotësim i ligjit të buxhetit i hapet rrugë sistemit të ri të pagave prej këtij muaji. Me këtë sistem të ri dhe vlera të reja të kompensimeve ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë. Barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve. Po ashtu në shërbimin civil të Kosovës janë mbështetur më së shumti ata që kanë qenë në fund të tabelës. Punëtorët dhe teknikët kudo në administratën tonë do të ketë trajtimin dinjitoz dhe të drejtë. E reja e këtij sistemi përveç vlerave që ka sjell në klasifikimin e kategorive tek zyrtarët publik është se për çdo vit do të vlerësohen mundësinë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficienteve sipas atyre mundësive. Pra pas kësaj nuk do të ketë stagnim të pagave të zyrtarëve pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes, apo punës dhe rezultateve që kemi të gjithë bashkë në rritjen ekonomike të vendit”, është shprehur ai.

Krahas kësaj, Kurti ka paralajmëruar se shumë shpejtë në Kuvend do të miratohet në lexim të dytë Projektligji për pagën minimale.

Kurti: Së shpejti do të miratohet në lexim të dytë Projektligji për pagën minimale

“Së shpejti presim që të miratohet në lexim të dytë, ligji për pagën minimale, pasi pjesa më e madhe e të punësuarve të qytetarëve tanë janë në sektorin privat. Po ashtu në javët në vijim do të paraqiten edhe skemat e reja të punësimit, pasi prioritet i qeverisë është punësimi, veçanërisht ai i rinisë”, ka shtuar Kurti.

Në anën tjetër, pas miratimit të Projektligjit për ndarjet buxhetore që i hap rrugë rritjes së pagave, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se përmes këtij ligji paga mesatare bruto në Kosovë do të jetë 730 euro.

Ai, po ashtu ka thënë se buxheti për paga këtë vit do të jetë 745 milionë euro, rrjedhimisht 105 milionë euro më shumë se viti paraprak.

Murati: Buxheti për paga këtë vit është 745 milionë euro, 105 milionë euro më shumë se viti i kaluar

“Vlera e koeficientit të pastër, pa shtesat, pasi nëse marrim edhe shtesat parasysh ato përbëjnë diku rreth 12 për qind mesatarisht të tërësisë së vlerës së pagave. Duke filluar nga shtesa e përvojës së punës që aplikohet në mënyrë universale tek të gjithë të punësuarit, pastaj është shtesa për kushtet specifike dhe rrezikshmërinë, të tregut të punës, vëllimit të punës dhe shtesa të tjera për kategori specifike. Si buxhet në vitin e kaluar kemi pasur shpenzim 652 milionë euro që kanë qenë të përfshira edhe pagesat për COVID 19, ndërsa nëse hiqen ato, buxheti i rregullt ka qenë 640 milionë euro. Për vitin aktual kemi buxhetor 745 milionë euro, që paraqet një rritje prej 105 milionë euro që përbënë rritje më të lartë historikisht”, është shprehur ai.

Ligji për paga në sektorin publik është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat