Vrasja e 41 vjeçarit në Fushë Kosovë, ky është versioni i të dyshuarit sipas avokatit

Aktuale

Vrasja e 41 vjeçarit në Fushë Kosovë, ky është versioni i të dyshuarit sipas avokatit

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 13:05
Arsim Hamiti

Arsim Hamiti 41-vjeçar është privuar nga jeta me thikë të dielën në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë.

Lidhur me rastin janë ndaluar dy persona të dyshuar, A.M., dhe L.B., të dy nga 26 vjeç.

Shefqet Hasimi, avokati i L.B., i dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit Arsim Hamiti ka treguar versionin e 26-vjeçarit se çfarë tha ai në stacionin policor për vrasjen e mbrëmshme. Sipas të dyshuarit L.B., ai dhe shoku i tij A.M., nuk janë njohur më parë me viktimën.

I dyshuari, ka deklaruar në stacionin policor se viktima kishte tentuar ta hapte në parking veturën e tij të marrë me qera dhe sipas tij, kur e ka parë këtë ngjarje e ka thirrë shokun e tij dhe e kanë takuar viktimën ku pas përleshjes fizike ngjarja ka përfunduar me vrasjen e 41-vjeçarit.

Versionin e të dyshuarit e ka treguar avokati i tij, Shefqet Hasimi.

“Sipas deklarimit të tij ky e ka marrë një veturë me qera edhe e ka lënë në parking ka thënë e kam pa një person duke tentuar me hap derën edhe ka ikë nga vendi i ngjarjes, ky e ka thirrë shokun e tij, hajde se kam problem me njërin, ai prej Orlloviqit ka ardhë shpejt e shpejt janë bë bashkë, qysh ka deklaru e kanë pritë rreth 20 minuta derisa u dalë në një rrugë, ju kanë lëshu me një veturë, janë fjalos janë grushtu, edhe ai (shoku i tij) e ka nxjerr thikën e ka mbyt në vend. Ai qysh tha sjemi njoftë më herët, rastësisht ka ndodhë. Ashtu është deklaru”, tha avokati Hasimi.

I pyetur nëse të dyshuarit i kanë ofruar ndihmë viktimës pas therjes me thikë, avokati tha:

“Nuk i kanë oftu ndihmë dhe kanë ikë nga vendi i ngjarjes….Pra, sipas tij ka dashtë me hap veturën derën e shoferit edhe i ka bërtitë ka ikë, e ka thirrë shokun e vet e kanë pritë, u dal ai dhe ja kanë marrë edhe jetën”, u shpreh ai.

Rasti në polici është hapur si “vrasje e rëndë”, teksa janë ndaluar për 48 orë personat, A.M., dhe L.B., të dy nga 26 vjeç.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se të dyshuarit janë dërguar në mbjatje për 48 orë, ndërsa është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorë në këtë rast.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja”, sipas KPRK-së. Të njëjtit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit.Gjithashtu, me urdhër të prokurorit është sekuestruar mjeti i mprehtë (thika), e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, tha Ulaj.

Tutje, ajo shtoi se prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij akti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat