Rrëfimi i ushtarit të lirisë

Aktuale

Rrëfimi i ushtarit të lirisë

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 22:46
Bedri Pajaziti

“Momentin që kam hy në derë unë, kam deshtë me dhanë si lajm me një shkrepje të plumbit lajmin e lirisë…’’, tha “ushtari i lirisë”.

E ky moment u përjetësua përmes kësaj fotografie.

Bedri Pajaziti nga qyteti i Ferizajt ishte vetëm 18 vjeç kur filloi shërbimin e tij si ushtar në Zonën Operative të Nerodimes.

“Shkuam në fshatin Petrovë ku u paraqitëm edhe u takuam me profesorin edhe ai na mori që të jemi pjesë e UÇK-së, pas shumë tentimeve, sepse ishim të ri, fizikisht isha i dobët dhe nuk iu bëja përshtypje atyre që unë mund të isha pjesë e luftës”, u shpreh ai.

E për këtë nuk i kishte treguar familjes së tij. Mirëpo e ëma e kishte kuptuar. Përkrahjen e saj, ish-luftëtari e tregon duke mos i përmbajtur lotët.

“Nuk i kemi treguar familjes në start. Pas shumë tentativave, nana jem e ka pa përpjekjen time që unë jam t’u dashtë me shku në luftë bashkë me dy djem të axhës e me disa shokë të tjerë.  U nisëm nga shtëpia, e kuptoi nana jem ku jemi t’u shku edhe na ofroi do qumësht, pak qumësht aty që ishte në frigorifer, tha pine se nuk bën me shku untë në luftë. E ai moment më kujtohet kur nana jem na dha përkrahjen neve”, deklaroi Pajaziti.

Ai rrëfen momentet më prekëse gjatë periudhës së luftës.

“Momentet kur doja me shku n’luftë, ishte një dëshirë e madhe që ta takoja shokin tim Muhametin, e dija që është atje, edhe e kam takuar në rrethana më të rënda…E kam takuar të plagosur edhe ma nuk e kam pa…”, rrëfeu ai.

E rrugëtimin e tij drejt lirisë, tanimë po e vazhdon edhe i biri, Altini. Ai është ushtar i ri në FSK.

E krenarinë më të madhe për të, Pajaziti thotë se e ndjeu në ditën e betimit.

Bedri Pajaziti gjatë periudhës së luftës ka qenë pjesë e ekipit të radiolidhjes në Petrovë të qytetit të Shtimes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat