PSD pritet të protestojë në fund të muajit kundër Asociacionit

Aktuale

PSD pritet të protestojë në fund të muajit kundër Asociacionit

Më: 6 mars 2023 Në ora: 15:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Partia Socialdemokrate kritikoi sot kryeministrin Albin Kurti për pranimin në parim të propozimit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Përmes një aksioni simbolik, PSD-ja vendosi para Qeverisë së Kosovës, peticionin e vitit 2015 me mbi 200 mijë nënshkrime kundër Asociacionit.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Kurti ka shkelur vullnetin e qytetarëve me dakordimin për marrëveshje me Serbinë dhe ka pranuar një ujdi të dëmshme për vendin.

Molliqaj: Kurti ka shkelur vullnetin qytetarë dhe peticionin e vitit 2015 kundër Asociacionit

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka braktisur vullnetin qytetar dhe atë dyfish. Njëherë duke braktisur peticionin mbi 200 mijë nënshkrime të vitit 2015-2016 kundër marrëveshjeve me Serbinë, veçanërisht për Asociacionin dhe vullnetin e dytë të zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021. Jo vetëm qe ka braktisur por shkelur në mënyrë brutale atë vullnet politik. Me marrëveshjen që praktikisht është dakorduar që do të nënshkruhet, kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është bërë edhe më i dobët që ka qenë më herët. Nuk ekziston ma fjala kufij. Fjala Republikë nuk ekziston në asnjë rresht të asaj marrëveshje dhe po ashtu siç e dini ka hekur zyrtarisht dorë edhe me ia kërku njohjen Serbisë”, tha ai.

Madje, Molliqaj tha se protestat e para kundër themelimit të Asociacionit do të mbahen në fund të muajit mars apo në fillim të prillit.

Molliqaj: Protesta në fund të muajit mars apo fillim të prillit

Dita se kur do të mbahet protesta besoj se do të jetë ajo ditë ku do të punojmë dhe organizohemi që sa më masive të jetë protesta. Nuk kam datë sot, por ajo çka është e sigurt se protesta do të jetë në fund të marsit apo fillim të prillit. Do të jetë protesta e parë masive, pasi këto ditë kemi qenë në teren dhe kemi takuar njerëz, ku numri i atyre që janë të zhgënjyer është i madh dhe janë të gatshëm me protestu kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën”, shtoi Molliqaj.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, më 27 shkurt janë takuar në Bruksel për të diskutuar për propozimin e BE-së për dialogun. Megjithëse, nuk ka pasur nënshkrim të marrëveshjes, ndërmjetësuesi i dialogut, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se palët janë pajtuar në parim për marrëveshjes. Takimi i radhës pritet të mbahet më 18 mars, që pritet të diskutohet edhe plani i zbatimit të marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat