“Ultimatumi” i Kurtit për QUINT-in, a do të zhbllokohet dosja e Kosovës në KiE?

Aktuale

“Ultimatumi” i Kurtit për QUINT-in, a do të zhbllokohet dosja e Kosovës në KiE?

Më: 7 mars 2023 Në ora: 17:58
Albin Kurti gjatë takimit me amabsadorët e QUINT-it

Pas arritjes së ‘marrëveshjes’ së panënshkruar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Albin Kurti filloi kërkesat ndaj shteteve që sollën në tavolinë propozimin europian. Me të filluar java, Kurti mblodhi pesë ambasadorët e shteteve të QUINT’it ndaj të cilëve kishte një kërkesë të qartë – anëtarësimin në Këshill të Europës.

Paralelisht me dialogun me Serbinë, të cilin Bashkimi Europian e sheh si rrugë nga e cila Kosova detyrimisht duhet të kalojë për të përmbushur ambiciet e saj euroatlantike, Kosova nisi t’i zyrtarizojë ato me dorëzim të aplikimeve. E para ishte organizata paneuropiane për të drejtat e njeriut ku Kosova e dërgoi dosjen më 12 maj të vitit të kaluar për të pasuar edhe me aplikimin në Bashkimin Europian, derisa Kurti paralajmëroi edhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe në NATO.

Pasi i tha po propozimit europian që garanton se Kosova nuk do të pengohet në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare nga Serbia, Kurti kërkesën e parë që ia parashtroi ambasadorëve të vendeve sponzorisuese të këtij propozimi ishte që të procedohet më tej në Këshill të Europës. “Procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë”, citohet të ketë thënë Kurti në takim në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Si argumente për këtë, kryeministri përmendi disa nga të arriturat e Kosovës në fushat që kërkon KiE. “Përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”.

Po ashtu, Kurti tha se në Kushtetutën e Kosovës janë të mishëruara parimet dhe vlerat e njëjta me KiE nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të organizatës. Në këtë takim, Kurti me vete e pat edhe zëvendësministrin e Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë.

“Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”.

Nëse ka “sigurim të mbështetjes”, Gazeta ka kontaktuar edhe me zyrtarin për shtyp të Këshillit të Europës për të parë nëse ka ndonjë hap konkret në këtë proces. “Aplikimi është duke u marrë në konsideratë nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, sipas rregullave relevante. Nuk kemi informacion tjetër për të ndarë në këtë pikë”, ka thënë Dusan Vojnovic.

Siç tha ZKM dje në komunikatën e lëshuar, në këtë takim, kryeministri Kurti njoftoi ambasadorët edhe për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat