Elshani: Mbledhja e KQZ-së është shtyrë, ngase nuk kishim shumë informacione

Aktuale

Elshani: Mbledhja e KQZ-së është shtyrë, ngase nuk kishim shumë informacione

Më: 11 prill 2023 Në ora: 19:40
KQZ

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani ka deklaruar se mbledhja e KQZ-së e planifikuar për ditën e martë është shtyrë si shkak i informacioneve jo të mjaftueshme për vendvotimet në veri të vendit.

Elshani në RTV Dukagjini ka deklaruar se KQZ ka dërguar një listë të qendrave të votimit mirëpo për të njëjtat, nuk kishte pranuar detaje të hollësishme.

“Kjo mbledhje sot më dështoj për shkak të informacioneve të pamjaftueshme që kishim si KQZ lidhur me vlerësimin e sigurisë së qendrave të votimit në këto komuna ku do të zhvillohet procesi i votimit më 23 prill dhe kemi kërkuar që të kemi detaje më të hollësishme, të dimë saktë nivelin edhe të sigurisë dhe vlerësimet e MB-së për secilën qendër të votimit”.

“Meqenëse ne e kemi dërguar një listë të qendrave të votimit, atë që e kemi praktikuar edhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2021 dhe ato parlamentare të vitit 2021, kemi konsideruar që procesi i votimit duhet zhvilluar në të njëjtat qendra të votimit ku është zhvilluar edhe më parë. Mirëpo nga lista që kemi marrë, nuk kemi marrë detaje të hollësishme lidhur me atë vlerësim prandaj kemi kërkuar që e njëjta të plotësohet e më pas të trajtohet në KQZ. Kjo ka qenë arsye pse mbledhja nuk është mbajtur sot”, ka deklaruar ai.

Lidhur me çështjen, Elshani ka deklaruar se nuk ekziston një plan i dytë gjersa ka theksuar se modifikimet mund të bëhen vetëm në rast të rekomandimeve nga organet e sigurisë si dhe një konstatim tjetër i situatës.

“Nuk ka absolutisht një plan B, ne kemi alternativat tona si KQZ. Mund t’i modifikojmë por sigurisht këto vijnë pas një konstatimi të gjendjes dhe përderisa nuk kemi një konstatim real nga organet e sigurisë, ne nuk mund të vazhdojmë me plane të tjera…presim rekomandime dhe vlerësime konkrete nga ta, detaje të hollësishme mbi qendrat e votimit”, ka deklaruar Elshani.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që qendrat e votimit të jenë afër votuesve, gjë e cila mbetet edhe si kërkesë evidente e KQZ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat