​IPK deklarohet pas rastit në Zveçan, ja për cilat vepra dyshohen policët

Aktuale

​IPK deklarohet pas rastit në Zveçan, ja për cilat vepra dyshohen policët

Më: 11 prill 2023 Në ora: 23:22
Foto ilustrim

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës thonë se janë njoftuar nga Policia e Kosovës sot (e martë) në orët e hershme të mëngjesit lidhur me rastin e ndodhur në orët e vona të së hënës në veri të vendit ku në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq ishte raportuar për plagosjen e një personi nga arma e zjarrit.

IPK thotë se ishte njoftuar për këtë rast pasi që policia pas ekzaminimit të dëshmive të siguruara, kishte dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.

Inspektorati tregon edhe për veprat mbi të cilat dyshohen katër zyrtarët policorë.

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘mos lajmërim i veprës penale’ dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale ‘vrasje - në tentativë’”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

IPK thotë se hetuesit e tij janë duke ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat