Lekaj: Qeveria Kurti ka dështuar në raport me veriun, zgjedhjet duhet të shtyhen

Aktuale

Lekaj: Qeveria Kurti ka dështuar në raport me veriun, zgjedhjet duhet të shtyhen

Më: 13 prill 2023 Në ora: 14:53
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, për gjendjen e krijuar në veri të vendit e ka fajësuar Qeverinë Kurti.

Ai ka bërë me dije se qeveria në këto dy vite ka dështuar me atë pjesë të vendit.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Lekaj ka thënë se tani institucionet duhet të marrin vendim për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Ne si AAK bashkohemi në idenë dhe dëshirën që egzistenca dhe fuqia e shtetit të Kosovës të jetë në secilin sektor e në secilin cepë të vendit. Parimisht, ne jemi që të mbahen zgjedhjet në veri, sepse zgjedhjet janë vlerë e demokracisë në vendin tonë. Por, nëse nuk ka kushte, nuk duhet dhe nuk bën që te rrezikohen qytetarët e Kosovës me mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, e terë përgjegjësia për këtë situatë i takon Qeverisë.

“Problemet në veri si Mungesa e Sigurisë në qendrat e zgjedhjeve, mungesa e sigurisë në teren e cila është nën kontroll të strukturave dhe bandave paralele e që do të rrezikojnë qytetarët që planifikojnë të votojnë, mos pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje, si dhe eskalimi i situatës në tërësi, janë elemente dhe dëshmi që Qeveria duhet ti shtyjë zgjedhjet në veri”, është shprehur ai.

Ai ka bërë me dije se situata aktuale ka ardhur si rezultat i veprimeve të gabuara të Qeverisë.

“Kjo situatë nuk do të vinte, por Qeveria Kurti ka dështuar në raport me Veriun, e kemi thënë që e ka kthyer thuajse dy dekada mbrapa kontrollin dhe menaxhimin në veri. Prandaj nga qasja dhe politikat e gabuara me serbët në veri po pësojnë qytetarët në ato pjesë dhe po pëson edhe shteti i Kosovës pasi po humb pushteti dhe kontrolli mbi vendin tonë”, ka deklaruar Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat