Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

Aktuale

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

Më: 19 prill 2023 Në ora: 15:26 Përditësuar në ora: 16:13 më 19.04.2023
Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg.

Reuten: Pas liberalizimit, BE-ja duhet të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim

Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka thënë se pas liberalizimit të vizave, ky është një sinjal se duhet filluar me kapitujt vijues për integrimet evropiane.

Ai tha se BE-ja duhet të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim me të njëjtin dedikim dhe shpejtësi siç ka bërë me aplikimet tjera.

“Dhe, sa i përket pesë vendeve që ende s’e njohin Kosovën, besoj që ky hap i posaçëm dhe përpjekjet që janë bërë, në atë që quhet marrëveshje normalizimi, janë sinjale që edhe për këto vende, është e rëndësishme që të lëvizin drejt njohjes formale”, është shprehur Reuten.

Kujtojmë, se sot në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.

Pa viza nga viti i ardhshëm mund të udhëtojnë veç ata që kanë pasaporta të Kosovës

Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka folur mbi atë se a kanë të drejt serbët e Kosovës që kanë pasaporta nga qendra koordinuese në Beograd të udhëtojnë pa viza.

Reuten tha se legjislacioni është i qartë dhe sipas tij, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të vlejë vetëm për ata që kanë pasaporta të Kosovës.

“Legjislacioni është i qartë. Pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare dhe pasaportat e serbëve, për ata që jetojnë në Serbi, ata kanë liberalizim tashmë”.

“Është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak. Qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, është shprehur Reuten.

Kryetarja e PE-së e quan moment krenarie nënshkrimin e vendimit për heqjen e vizave për Kosovën

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Metsola e cila mori pjesë në nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave, tha se është një moment krenarie që sot dhamë dritën e gjelbër përfundimtare në këtë proces.

“Nënshkruar, vulosur, dorëzuar. Moment krenarie për Parlamentin Evropian, pasi sot dhamë dritën jeshile përfundimtare për liberalizimin e vizave me Kosovën. Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për popullin e Kosovës – të udhëtojë, të bëjë biznes, të thellojë lidhjen me evropianët”, ka shkruar Metsola në Twitter.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Reuten: ETIAS s’duket të jetë funksional deri më 1 janar

Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka thënë se ishte i befasuar me kushtin që i ishte vënë Kosovës me sistemin ETIAS.

Reuten tha ETIAS nuk duket të jetë funksional deri më 1 janar, por ai tha se kushti nëse ETIAS-i është funksional apo jo më herët nuk do të përdoret.

“Dhe, për këtë ka qenë e rëndësishme që të kishim një datë të fundit në marrëveshje dhe duke i parë zhvillimet për rreth implementimit të ETIAS-it, me gjasë do të presim atë datë”, është shprehur Reuten pas nënshkrimit të vendimit të liberalizimit të vizave për Kosovën,

Ai më tej tha se sistemi ETIAS ishte kusht i shtuar pa nevojë në negociata dhe ishte për të shtyrë kohën.

Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

Në Stazburg ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.

“Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngusht me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”.

Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.

“Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.

Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesi për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

Ai shtoi se ishte e padrejtë “dhe e paarsyeshme” zvarritja e procesit të vizave për Kosovën, pavarësisht se Prishtina kishte “punuar shumë dhe kishte plotësuar [kriteret] para shumë vjetësh”.

Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat