Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, deklarohet kryeministri Kurti - opozita lëshon sallën

Aktuale

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, deklarohet kryeministri Kurti - opozita lëshon sallën

Nga: Bota sot Më: 20 prill 2023 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 15:23 më 20.04.2023
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme miratoi disa pika nga seancat e papërfunduara

Kuvendi i Kosovës përmes një seancë të re të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje ka miratuar sot në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore. Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e partive opozitare. Kuvendi nuk e ka miratuar raportin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021.

Po ashtu, mazhoranca e ka votuar raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021.

Në këtë seancë të re të Kuvendit, 60 deputetët e pozitës të pranishëm në sallë kanë votuar edhe raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021.

Me 3 abstenime dhe 58 vota pro Kuvendi ka miratuar edhe Rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Mazhoranca ka votuar pro edhe rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Komunikimet Elektronike.

PDK i kërkon Kurtit ta shkarkojë Bordin dhe kryeshefin e arrestuar të KEK-ut

Ndonëse tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK e lëshuan sallën pas fjalimit të kryeministrit Albin Kurti ku foli për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi u rikthyen në sallë shefat e këtyre partive opozitare.

Derisa PDK kërkoi që të shkarkohet Bordi dhe kryeshefi i KEK-ut, nga LDK e AAK deklaratat e Kurtit i konsideruan sulme ndaj sistemit të drejtësisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga kryeministri Kurti që ta shkarkoj Bordin e KEK-ut dhe kryeshefin, Nagip Krasniqi i cili dje është arrestuar.

Tahiri:Të shkarkohet Bordi i KEK-ut dhe kryeshefi i KEK

“Ne e shohim se ekziston tani një siklet jashtëzakonisht i madh tek ju dhe tek komplet Grupi Parlamentar, por po ta kujtoj që gjënë e parë që do të duhej me pas sot ju si kryeministër ta mblidhni urgjentisht qeverinë dhe ta shkarkoni Bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin i cili tashmë po mbahet në burg. Kryeshefi që tashmë po mbahet në burg po mbahet edhe në detyrë nga pozicioni juaj, sepse e mban në detyrë edhe Martin Berishaj dhe Albin Kurti...Debate të tilla nga kryeministrat në këtë sallë nuk kanë ndodhur asnjëherë, sepse iu kanë lënë rrugë hetimeve nuk është sulmuar asnjëherë organi i akuzës. Por, të bëjë thirrje shkarkoje Bordin, po të bëjë thirrje shkarkoje kryeshefin që po mbahet në burg, kjo nuk iu bënë nder as juve as Kosovës. Ky mllefi i juaj sot kalon por dëmi që po i bëhet vendit tonë brenda dhe jashtë është jashtëzakonisht i rëndë“,

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh se ato që i deklaroi Kurti për sistemin e drejtësisë janë sulm ndaj këtij sistemi.

Sipas tij, nëse kryeministri, kryeparlamentari e presidentja përzihen në sistem të drejtësisë është puç institucional.

Gashi: Nëse përzihen kryeministri e presidentja në drejtësi bëjnë puç institucional

“Pasi që kryeministri e pa që ne nuk jemi këtu, filloi një monolog mashtrimi edhe pse me votë e refuzoi debatin....Sa për kapjen e sistemit të drejtësisë zotëri kryeministri nga gjithsej 450 gjyqtarë në qeverisjes tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë prej 450 që janë emëruar në tërësi për tri vjet... Prej 210 prokurorëve janë emëruar në qeverisjen tuaj, 29 prokurorë më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurt të qeverisjes nuk janë emëruar. Keni tentuar me kap sistemin prokurorial dhe gjyqësor, duke vepruar në mënyrë jo kushtetuese me KPK, prandaj zotëri Kurti ato që i thatë këtu janë sulm direk mbi sistemin e drejtësisë. Kryeministrit, kryetari i Kuvendit dhe presidentja nuk kanë të drejtë me u përzier në çështjet e drejtësisë, ai është sistem i pavarur nëse përzihen bëjnë puç institucional dhe atë e paralajmërove ti sot”, tha Gashi.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kërkoi nga Kurti që ta merr anën e drejtësisë dhe ligjit.

Haradinaj: Kryeministri ta merr anën e ligjit e drejtësisë

“Udhëheqësit e zot e dinë që i bie se nëse dikush nga radhët ka shkelur ku nuk duhet me ia tregua vendin, me dhimbje po them, por duhet me ia tregua vendin. Nuk besoj që është besnikëri apo lojalitet me marr pozicion të gabuar në interes të përgjithshëm....E kisha lut kryeministrin ta merr anën e ligjit dhe drejtësisë edhe nëse ka dyshime dhe nëse mendon se ka konspiracione”, tha ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i reagoi kryeministrit Kurti duke i thënë se ndërhyrjet e tij në sistem të drejtësisë janë të papranueshme.

Sipas saj, po të dëshironte prokurori, Blerim Isufaj të bëhet me çdo kusht kryeprokuror do të shkonte në zyrën e Kurtit për të bërë pazare.

Bajrami: Skandali i djeshëm e shpërfaqi se për çka iu duhen njerëzit e juaj

“Ndërhyrjet që po i bënë në sistemin e drejtësisë me deklaratat tuaj janë të papranueshme nuk mundemi me u pajtua me Gjykatën Kushtetuese kur ajo rrëzon qeverinë Hoti dhe mos me u pajtua kur ajo e shpall antikushtetues ligjin për KPK, sepse me atë ligj keni tentua me kap KPK, kështu skandali i djeshëm e shpërfaqi se për çka iu duhen njerëzit e juaj. Prokurori që ju po e thoni se nuk e doni dhe ai me çdo kusht do të bëhet prokuror, unë mendoj se sikur të dëshironte me çdo kusht të bëhej prokuror, ai kishte me ardhur me dosjen e Nagip Krasniqit dhe kishte bërë pazarin, por përkundrazi ai nuk po dëshiron me bë një gjë të tillë dhe këtij vendi i duhen prokuror dhe gjyqtar që nuk i frikësohen askujt. Zotëri kryeministër nuk mundeni me nda drejtësi me përkatësi partiake”, theksoi ajo.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve në Kuvend, për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi tha se Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror i shtetit, nuk e ka asnjë rast të fituar në gjykatë. Për të njëjtin u shpreh se nuk është vullneti i presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Shefi i ekzekutivit u shpreh se në Prokurorinë e Shtetit ekziston disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

Dimal Basha i del kundër Qeverisë: Nuk e votoj këtë ligj, është gabim

Ka dështuar votimi në lexim të dytë i projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, kjo pasi pushteti nuk i kishte votat e nevojshme.

Telashe me numrat kësaj here u solli deputeti Dimal Basha, i cili tha se nuk janë marrë fare për bazë vërejtjet që ai i ka pasur.

Madje Basha ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu se përse nuk po ndalen ndërtimet pa leje

“Unë nuk marr pjesë në votim të këtij ligji, amandamentimi i ligjit ka qenë gabim, ligji ka shumë probleme. Ky ligj në këtë formë më shumë sjell probleme sesa zgjidhje. Shtëpitë duhet të legalizohen por jo ndërtesat. Ndërtimet janë bërë pa leje, ne si deputet duhet me ba një zgjidhje të përhershme për të gjitha ndërtimet pa leje, por paraprakisht duhet me i ndal, ministri në fjalë duhet me u marrë me ndalimin e ndërtimeve pa leje që ndodhin në krejt Kosovën”, ka thënë deputeti Basha.

​LVV kërkon seancë të re

Lëvizja Vetëvendosje përmes 41 nënshkrimeve ka kërkuar që sot në 13:30 të mbahet seancë e re për shqyrtim të pikave të papërfunduara.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është shprehur se në seancën e orës 13:30, do të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seanca plenare e nisur më 2 shkurt.

Kusari-Lila: Kemi kërkuar seancë të re në orën 13:30

“Ne si grup parlamentar kemi parashtruar kërkesën me 41 nënshkrime për një seancë të re sot në 13:30, e cila do t’i shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare filluar më 2 shkurt dhe vazhduar më 22 mars 2023”, ka thënë ajo.

Pa opozitën, Kuvendi voton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit

Në Kuvendin e Kosovës sot është miratuar Projektligji për Prokurorin e Shtetit.

Pro këtij Projektligji kanë votuar 61 deputetë të pranishëm në Kuvend.

Ky projektligj është votuar pa praninë e deputetëve të opozitës të cilët lëshuan sallën paraprakisht.

Seanca e Kosovës është duke vazhduar me pikat e tjera të rendit të ditës.

​AAK lëshon seancën, Tahiri: Kuvendi është i bllokuar

Derisa seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës e lëshuan dy partitë opozitare PDK dhe LDK, sallën më pas e lëshoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Kuvendi i Kosovës është i bllokuar për shkak të mos dijes së ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Kuvendi i Kosovës është i bllokuar ose nëse ka një qasje strategjike politike për ta bllokuar ose për shkak të mos dijes mos konsulimit, mos trajtimi nga ministri i Financave….Të hyrat vetanake të mos preken ky ka qenë qëllimi ky diskutimi dhe ky ka qenë amandamentimi dhe ky ligj i cili është periodik prej 1 janar deri më 31 dhjetor e prek vetëm temë.

Tash për ta vendosur LDK-në keq dhe opozitën që nuk kanë ditur me bë amandament është kah luhet një lojë që do të na bien në situatë që neve si opozitë me bojkotua Kuvendin, me bojkotua punën në Komisione për ta dërguar një porosi”, tha ai. 

Kurti foli pasi opozita lëshoi sallën, por ata u kthyen për t’u ballafaquar

Pasi opozita ka lëshuar sallën, fjalën e ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të folur lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit.

Kurti “sulmoi” sistemin e drejtësisë në vend. Por edhe opozitën duke i kritikuar se kanë ikur nga salla e kuvendit sepse nuk duan debat.

“Opozita iku sepse nuk e don debatin” – tha Kurti.

Pas përfundimit të  fjalës së tij, opozita u kthye në kuvend.

Arben Gashi i replikoi duke i thënë se bëri monolog sapo doli opozita nga salla.

“Vazhduat me mashtrime”, tha ai.

Deputeti Gashi i tha kryeministrit Kurti se sulmoi drejtëinë dhe se i njëjti ka tentuar ta kap sistemin prokurorial e gjyqësor.

Po ashtu deputeti Gashi tha se në qeverisjen Kurti janë emëruar 100 gjyqatarë e 29 prokurorë.

“Pasi që kryeministri e pa që nuk jemi këtu e filloi një monolog mashtrimi, edhe pse me votë e refuzoi debatin. Kryeministtit po ja them disa fakte, e para prokuroria nuk mundet me ngritë akuza në bazë të AKI-së, sa për kapjen e sitstemit të drejtëisë, nga rreth 450 gjyqtarë në qeverisjen tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë, 23 janë emëru në janar, 29 në prill, 48 gjyqtarë në korrik, prej rreth 210 prokurorëve janëe emëru në qeverisjen tuaj 29 prokurorë, më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurtë”, tha Gashi.

Shala: Kurti i kapur nga kthetrat e mafisë energjetike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, është i kapur nga kthetrat e mafisë energjetike në vend tash e disa vjet.

Shala, në seancën plenare të Kuvendit, tha se në vazhdimësi kanë paralajmëruar për rreziqet që i kanosen vendit, madje siç tha ai edhe kanë dhënë rekomandime por se të njëjtat s’janë marrë parasysh nga Kurti.

“Kemi ngritur shqetësimin tonë që nga fillimi i mandatit të Qeverisë Kurti 2, kemi paralajmëruar për rreziqet që i kanosen vendit nga mafia energjetike, kemi ngritur komisione hetimore me shumë mund dhe kemi dhënë rekomandime dhe të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër të kryeministrit Kurti”.

“Tani është bërë e qartë që ai personalisht dhe jo vetëm ka qenë dhe është në dijeni dhe i zhytur thellë në kthetrat e mafisë energjetike të Kosovës prej vitesh”, u shpreh Shala.

Tutje, Shala foli edhe për subvencionimin e qeverisë për enegjinë, që sipas tij është vetëm dëm dhe humbje prej 500 milionë eurosh nga buxheti.

“Për dy vite qeverisje nga buxheti kanë dalë mbi 500 milionë euro që kanë shkuar në sektorin energjetik, shumica nga to të paplanifikuara dhe jashtë linjave buxhetore në emër të subvencionimit, importit dhe remonteve të hidrocentralit, KEK-ut dhe KESCO-së e të gjitha këto kanë dhënë zero rezultat në drejtim të energjisë vendore”, tha Shala.

Gashi-Kurtit: Paralajmërove puç institucional, sulm mbi sistemin e drejtësisë

Shefi i GP-së së LDK-së, Arben Gashi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti për sulmin që ua bëri organeve të drejtësisë, e në veçanti kryeprokurorit Blerim Isufaj.

Deputeti Gashi i tha kryeministrit Kurti se sulmoi drejtëinë dhe se i njëjti ka tentuar ta kap sistemin prokurorial e gjyqësor.

Po ashtu deputeti Gashi tha se në qeverisjen Kurti janë emëruar 100 gjyqtarë e 29 prokurorë.

“Pasi që kryeministri e pa që nuk jemi këtu e filloi një monolog mashtrimi, edhe pse me votë e refuzoi debatin. Kryeministrit po ja them disa fakte, e para prokuroria nuk mundet me ngritë akuza në bazë të AKI-së, sa për kapjen e sistemit të drejtësisë, nga rreth 450 gjyqtarë në qeverisjen tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë, 23 janë emërua në janar, 29 në prill, 48 gjyqtarë në korrik, prej rreth 210 prokurorëve janë emërua në qeverisjen tuaj 29 prokurorë, më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurtë”, tha Gashi.

Gashi tha se drejtësia është sistem i pavaruar dhe nëse përzihet politika bëhet puç institucional.

“Ai është sistem i pavarur kushtetues, nëse përzihen bëjnë puç institucional dhe atë e paralajmërove ti sot këtu”, i tha Gashi-Kurtit.

Kurti: Isufaj s’do të mund të bëhet Kryeprokuror

Kryeministri Albin Kurti i ka etiketuar si kundërshtarë prokurorët, pasi i ka kritikuar ata për mosveprim në lidhje me denoncimet e Lëvizjes Vetëvendosje

Kurti u shpreh i indinjuar në seancën e sotme të Kuvendit, nga ku tha se i përzgjedhuri i Këshillit Prokurorial për kryeprokuror të vendit, Blerim Isufaj nuk do të mund të vihet në krye të organit kryesor të ndjekjes në vend.

“Prokruorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, tha Kurti.

Kryeministri i quajti prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.

Kurti tha se Isufajt, aktualisht kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, nuk ka fituar asnjë rast në gjykatë dhe nuk ka lëvizur përkundër se, siç tha, AKI i ka ofruuar fakte dhe dëshmi “pa numër” për barrikadat e ngritura nga strukturat paralele në veri.

“Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë, pa numër dëshmi, pa numër fakte i ka dërguar prokruroisë gjatë muajit dhjetor dhe janar për 16 barrikadat e strukturave paralele në veri të Kosovës. Asnjë aktakuzë. si është e mundur që AKI i dërgon aq shumë fakte prokurorisë sonë dhe ajo nuk vepron”, tha Kurti. “Dhe duan të merren me presidenten tonë”, shtoi ai.

Për drejtësi na duhet vettingu, tha Kurti. “Për drejtësi na duhet Prokuroria aktive dhe e mirë; për drejtësi na duhet gjyqësori efikas dhe i ditur”, tha Kurti.

“Ky është synimi ynë sepse ky është zotimi ynë. Dhe kjo është nevoja dhe e drejta e qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Propozimi i KPK-së ka mbi një vit që rri në Presidencë, pasi shefja e shtetit, Vjosa Osmani ende nuk ka marrë asnjë vendim për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat