Veliu mohon pretendimet e Qalajt për ndërhyrje politike në shkarkimin e tij

Aktuale

Veliu mohon pretendimet e Qalajt për ndërhyrje politike në shkarkimin e tij

Më: 28 prill 2023 Në ora: 06:36
Agim Veliu

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, i cili u shkarkua nga kjo pozitë në vitin 2020, për herë të parë ,publikisht, ka deklaruar se u shkarkua nga detyra, pasi, siç pretendon ai, nga ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme iu kërkua që ish-kryetari i komunës së Istogut, i cili u arrestua, të mos dërgohej në paraburgim, por të trajtohej si rast në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, ish-ministri Veliu, në një deklaratë të shkurtë përmes telefonit,  tha  për televizionin publik se këto nuk janë të vërteta.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar për herë të parë publikisht, se ai është shkarkuar nga detyra duke aluduar në ndërhyrje politike nga ish-qeveria Hoti.

Në emisionin “RTK Prime”, ai tha se shkarkimi i tij është bërë pasi që ishte arrestuar tashmë i ndjeri Haki Rugova, ish-kryetar i Istogut.

“Është e vërtetë që për këtë arsyeje jam shkarkuar nga dëtyra, nga ish-ministri i Brendshëm Agim Veliu..Ministri Veliu ka kërkuar që nëse ka mundësi Rugova të mos dërgohej në paraburgim por të trajtohej si rast në procedurë të rregullt", ka thënë Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë, tash deputet i PDK-së në Kuvend, tha se për këtë çështje është në proces gjyqësor me ish-ministrin Veliu dhe ish-kryeministrin Hoti. Ndërkohë, media ka kontaktuar gjatë ditës me ish-ministrin e Brendshëm Agim Veliu i cili aktualisht është deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Ai fillimisht përmes telefonit ka mohuar të ketë kërkuar një gjë të tillë nga Qalaj duke thënë se do të flasë edhe para kamerës për të njëjtën çështje. Mirëpo më pas nuk është përgjigjur.

Po ashtu, media ka provuar të kontaktojë edhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti mirëpo ka qenë i paqasshëm dhe nuk u ka kthyer as përgjigje pyetjeve të dërguara me shkrim.

Ndërkohë, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se në vazhdimësi ka diskurse të tilla politike por sipas tyre, pushtetet janë të ndara dhe se çdo deklarim paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

"Diskursi publik në këtë rast është shumë i shprehur sepse ka të beje me akuza të ndryshme, pushtetet janë të ndara dhe gjithnjë ajo cfarë rekomandohet edhe nga raportet ndërkombëtare edhe nga parimet më të larta është që ndikimet politike nuk duhet të jenë në sistemin e drejtësisë", ka thënë Lavdim Makshana nga IKD.

Qalaj, i cili ishte emëruar në krye të Policisë së Kosovës në vitin 2018, u shkarkua me një vendim të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, ku thuhej se shkarkimi i tij bazohet në raportin e performancës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat