Punëtorët e sektorit privat protestojnë për 1 Maj, kërkojnë rritje të pagës

Aktuale

Punëtorët e sektorit privat protestojnë për 1 Maj, kërkojnë rritje të pagës

Më: 1 maj 2023 Në ora: 07:36
Ilustrim

Sot në mbarë botën shënohet 1 Maji e cila njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Në Kosovë për këtë 1 maj është paralajmëruar një protestë nga Federate Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës, duke kërkuar rritjen e pagave.
Protesta do të mbahet nga ora 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në të njëjtën orë, Partia Socialdemokrate e Kosovës ka paralajmëruar protestë para objektit të Qeverisë, shkruan teve1.info.

Kjo ditë në Kosovë shënohet edhe me aktivitet tjera, siç është ai në parkun e Gërmisë.

Punëtorët në Kosovë, sidomos ata në sektorin privat kanë ankesa sa i përket kushteve të vendit të punës, si pagat e ulëta, puna me orar të zgjatur e mungesa e sigurimit.

Në Kosovë paga minimale aktualisht është 180 euro, ndërsa me projektligjin e ri të miratuar nga Qeveria e Kosovës paga minimale është paraparë të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Por, ky projektligj edhe pse i miratuar nga Qeveria më 14 qershor 2022 ende nuk është miratuar në dy leximet nga Kuvendi i Kosovës.

Ai është miratuar vetëm në leximin e parë më 14 qershor 2022.

Projektligji po kundërshtohet nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, pasi projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Ligjin për Pagën për Zyrtarët Publik, projektligj ky i cili është kundërshtuar nga disa sindikata të sektorin publik.

1 Maji ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme, e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje, liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat