Kurti: Gjenocidi ndaj romëve e sintëve shpeshherë është lënë në harresë

Aktuale

Kurti: Gjenocidi ndaj romëve e sintëve shpeshherë është lënë në harresë

Më: 10 maj 2023 Në ora: 19:50
Albin Kurti

Never forget: Kurrë mos e harro” dhe “Never again” apo “Kurrë më”, janë udhëzimet për ta kujtuar gjithmonë Holokaustin, që për rastin e romëve dhe sintëve kanë një domethënie të veçantë sepse, gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë dhe ata vazhdojnë të përballen me diskriminim të hapur në Evropën e sotme.

Kështu tha Albin Kurti në hapjen e ekspozitës për Holokaustin kundër romëve dhe sintëve, që u bë sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ai i inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë këtë ekspozitë shumë me vlerë dhe shumë me rëndësi, për një histori gati të harruar të Holokaustit.

Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, zëvendësambasadori i Italisë Ugo Ferrero, Drejtori Ekzekutiv i “Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, deputeti Ergjan Galushi e zyrtarë tjerë të institucioneve të shtetit.

Kurti tha se për sa i përket numrit të saktë të viktimave romë dhe sintë në Holokaust, shifrat e historianëve dallojnë.

“Por, të gjithë pajtohen se pasojat e Holokaustit për popullatën e tyre, kanë qenë shkatërruese: Nazistët me bashkëpunëtorët e tyre eliminuan më shumë se gjysmën e popullatës rome dhe sinti në Evropë. Mes këtyre viktimave ishin mijëra persona të vrarë brenda një nate të vetme, me 2 gusht të vitit 1944, në kampin e përqendrimit ‘Auschwitz-Birkenau’”, tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit.

Kurti, romët dhe sintët i konsideroi shembuj frymëzues të rezistencës ndaj projektit gjenocidal të Hitlerit.

Kryeministri kërkoi nga vendet evropiane që të dyfishojë përpjekjet e veta për ta luftuar diskriminimin ndaj romëve dhe sintëve, në mënyrë që, siç tha ai, të mos përsëritet një gjenocid i tillë në Evropë.

Veç kësaj, ai kërkoi që romët dhe sintët të bëhen pjesë në jetën sociale, ekonomike, kulturore dhe politike, si qytetarë të lirë dhe të barabartë.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, përkatësisht për komunitetet romë, egjiptian dhe ashkali.

Ai theksoi se janë ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 mijë euro për nxënës të shkollave të mesme këtyre komuniteteve.

“Kemi dhënë edhe 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Ndërkaq, kemi rekrutuar 100 praktikantë për 6 muaj praktikë në institucione publike, me prioritet për rininë e komuniteteve jo shumicë. Dhe, bashkë me Zërin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe partnerët e tjerë, kemi lansuar për herë të parë një platformë kombëtare ku mund të denoncohen rastet e diskriminimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat