Kapja e bordeve nga pushteti, Kadrijaj: Ne e kapëm 50%, VV-ja qind për qind

Aktuale

Kapja e bordeve nga pushteti, Kadrijaj: Ne e kapëm 50%, VV-ja qind për qind

Më: 11 maj 2023 Në ora: 00:36
Time Kadrijaj

Emërimin e udhëheqëseve të institucioneve dhe emërimin e bordeve nëpër institucione, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka parë si një kapje të institucioneve publike nga pushteti.

Kadrijaj iu është kundërpërgjigjur numrit dy të Qeverisë Kurti, Besnik Bislimit për deklaratën e sotme, duke i thënë se nëse “ne kemi ndarë udhëheqësit e institucioneve 50% – 50%, ju e keni kapur shtetin 100%”.

“Ushtruesit e detyrës po kalojnë periudhë tranzitore, derisa pushteti të gjejnë një person të afërt me politikat e VV-së. Sot zëvendëskryeministri tha atëherë qeveritë e më hershme i kanë nda udhëheqësit e bordeve  50% – 50%, thash nëse ata i kanë nda 50-50, ju e keni kap 100% shtetin. Së fundi Aleanca prej këtyre katër partive parlamentare shqiptare më së paku kemi qenë në pushtet, ne mundemi me u akuzu më së paku nga të gjitha partitë. S’ka më pafajësi, e kanë humbë.”, deklaroi ajo.

Si një shkak për mos emërimin e drejtorëve të korporatave publike, deputetja e AAK-së i ka parë ‘’përçarjet’’ brenda VV-së sa i përketë këtij problemi se kë ta emërojnë.

“Plot institucione i kemi me ushtrues detyrë duke mos e gjetur konsensusin brenda partisë, se kush ku duhet të vendoset, ne kemi plotë institucione me ushtrues detyre. Nuk është njëjtë të udhëhiqet secili institucion kur e ka një drejtor me kompetenca të plota, sikurse një ushtrues detyre, sepse s’mundesh të kërkosh llogari nga ushtruesi i detyrës sikurse nga drejtori, ai se ka të garantuar se pas kësaj faze do të jetë drejtor.”, tha ajo.

Së fundi ajo komentoi edhe deklaratën e Bislimit i cili e normalizoi ikjen e ekspertëve nga vendi, ku tha se kjo bie ndesh me të gjitha premtimet që kjo parti ia dha jo vetëm qytetarëve të Kosovës por edhe diasporës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat