​Pasurisë së sekuestruar po i humb vlera

Aktuale

​Pasurisë së sekuestruar po i humb vlera

Më: 11 maj 2023 Në ora: 11:04
Foto nga takimi

Pasuria e sekuestruar e cila po mbetet për vite të tëra si e tillë po i humb vlera dhe kjo paraqet brengë të madhe për Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) e cila më pastaj mund të përballet edhe me padi.

Kështu është deklaruar mëngjesin e sotëm (e enjte) ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë një tryeze ku temë diskutimi ishte rëndësia bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Ministrja Haxhiu theksoi optimizmin që Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikuar sa më shpejtë të jetësohet, ndonëse ai ndodhet për vlerësim në Kushtetuese.

Teksa ka kërkuar bashkëpunim ndërinstitucional për fuqizimin e Agjencisë, Haxhiu theksoi se i njëjti është esencial në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Haxhiu u shpreh se kanë punuar në ndryshimin e ligjit për APPSK-në që rrit mundësinë që mjetet e konfiskuara të shfrytëzohen për më shumë kategori.

Haxhiu: Pasurisë së sekuestruar po i humb vlera

“Jam jashtëzakonisht optimiste që njëri nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend që tashmë po trajtohet nga Gjykata Kushtetuese që është Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të mundësojë që e gjithë pasuria që nuk mund të justifikohet e konfiskohet nga gjykatat ajo të ndahet për grupet e margjinalizuara apo për institucionet e Kosovës... Brenga ime më e madhe vazhdon të jetë që shumë prej pasurive të cilat janë të sekuestruara në kuadër të Agjencisë po mbesin për vite të tëra të sekuestruara dhe ne po përballemi me situata kur ato po e humbin vlerën. Ndoshta duhet që të bashkëpunojmë këtu sepse thjesht në të ardhmen dikush mund ta padisë institucionin nëse pastaj ajo pasuri e sekuestruar i kthehet personit për shkak të humbjes së vlerës”, u shpreh ajo.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, u shpreh se marrja e aseteve ilegale të kriminelëve lufton krimin dhe i godet rëndë ata.

Sipas tij, ripërdorimi social i këtyre pasurive që vijnë nga aktiviteti kriminal për të mirën kolektive ndihmon në promovimin e transparencës dhe sundimit të ligjit.

Edhe Davenport shpreson që përmes Byrosë kjo pasuri e konfiskuar dhe sekuestruar mund të menaxhohet më suksesshëm.

Davenport: Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë vegël për të goditur kriminelët në zemër

“Konfiskimi dhe sekuestrimi efektiv së pasurisë së fituar si rezultat i aktiviteti kriminal është një element esencial në përpjekje për të penguar ndryshimet financiare që i mbajnë këto organizata kriminale dhe qëllimi jonë kolektiv është që të jetë sa më e vështirë e mundur që kriminelët të vazhdojnë me veprimet e tyre... Ripërdorimi social i këtyre pasurive që vijnë nga aktiviteti kriminal mund të ndihmoj në promovimin e llogaridhënies dhe ligjit duke siguruar efektivisht që këto mjete të riciklohen dhe të vendosen për përdorim të mirë ekonomik dhe social... Jemi të përkushtuar për t’iu mbështetur për të mirën më të madhe për të gjitha komunitet për të shtyrë këtë diskutim tutje dhe për të ndërmarrë veprime të nevojshme sepse kjo është përpjekje e përbashkët dhe përdorimi i mjeteve aseteve të krimineleve në mënyrë konstruktive për të ndihmua komunitetin është një përfundim shumë i mirë në vetvete.... është një vegël efektive për të luftuar krimin sepse marrja e këtyre aseteve ilegale i godet në zemër kriminelët”, theksoi ai.

Zëvendësi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Enver Krasniqi shprehu në vitin 2022 për 30% është rritur vlera monetare e konfiskimit krahasuar me sekuestrimin.

Ai thotë se kjo është bërë fal bashkëpunimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese.

Krasniqi: Në vitin 2022 konfiskimet kanë shënuar rritje krahasuar me sekuestrimet

“Në vitin 2022 për herë të parë që nga themelimi konfiskimet kanë realizuar një rritje gjegjësisht ka mbizotëruar në krahasim me sekuestrimet. Sa i përket edhe vendimeve për konfiskim edhe nga aspekti i vlerës monetare. Vendimet për konfiskim në favor kanë qenë për 60% me 40% në favor të konfiskimit. Ndërsa, sa i përket vlerës monetare konfiskimet për herë të parë nga themelimi i Agjencionit kanë qenë më të mëdha për 30% në krahasim me sekuestrimin”, u shpreh Krasniqi.

Në këtë tryezë diskutimi për mbi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ishin prezent prokurorë e përfaqësues të gjykatave të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat