Anton Quni porosi institucioneve për veriun

Aktuale

Anton Quni porosi institucioneve për veriun

Më: 11 maj 2023 Në ora: 17:13
Anton Quni

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Në kuadër të vizitës, Lajçak sot është takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Në takim është diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të dialogut Kosovë-Serbi dhe situatën aktuale në veri.

Lajçak tha se do ta vizitoj veriun për ta kuptuar dhe parë situatën atje e duke shpresuar se do të ketë zgjidhje politike e jo konflikt.

“Ne mund të kemi normalizim ose konfrontim dhe ne definitivisht duam të fokusohemi në normalizim. Konflikti nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak pas takimit me Kurtin.

Quni: Dihet se Beogradi i përdorë strukturat e dhunshme që i udhëheqë për t’i penguar institucionet tona për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri

Ish-ministri i Mbrojtjes, njëherësh anëtar në Komisionin për Çështjen e Sigurisë, Anton Quni ka folur lidhur me situatën aktuale në veri.

Quni thotë se nga Beogradi është e pritshme që t’i përdorë strukturat e dhunshme për t’i cenuar institucionet e Kosovës për sundim të ligjit në territorin e saj.

“Tanimë, nga përvojat e të kaluarës, por edhe nga faktorët e ndryshëm ndikues në ambientin e sigurisë, e në veçanti në veri të Kosovës, është e ditur se Beogradi mund t’i përdorë strukturat e dhunshme që i kontrollon dhe i udhëheq, për të cenuar dhe sabotuar përpjekjet institucionale të Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e saj”, u shpreh Quni.

Anton Quni: Beogradi e paraqet dhunën para ndërkombëtarëve si reagim i natyrshëm i qyettarëve serb

Ish-ministri Quni tha se Beogradi çfarëdo forme të demonstrimit të dhunshëm do ta paraqesë para opinionit ndërkombëtar si reagim i natyrshëm i qytetarëve.

“Varësisht nga parashikimet për përfitimet politike në procesin e dialogimit me Kosovën, Beogradi, çfarëdo forme të demonstrimit të dhunshëm, do ta paraqesë para opinionit ndërkombëtar, si reagim i natyrshëm i qytetarëve serb të Kosovës karshi veprimeve institucionale”, tha tutje ai.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni po thotë se kujdesi i shtuar institucional në bashkëpunim me partnerë strategjik do ta ndalojë dhunën.

“Kujdesi i shtuar institucional e në veçanti i atyre të sigurisë, në bashkëpunim të mirë me partnerët strategjik, do të dekurajojë të gjithë ata që dhunën e shohin si mënyrë e zgjidhjeve të problemeve ndërshtetërore”, tha Quni.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti deklaroi se ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se në takimin me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak theksoi nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht.

Sipas tij, BE-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes.

Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.

Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat