Kurti komenton raportin e BERZH: U rikonfirmua se Kosova ka të ardhme të ndritur ekonomike

Aktuale

Kurti komenton raportin e BERZH: U rikonfirmua se Kosova ka të ardhme të ndritur ekonomike

Më: 16 maj 2023 Në ora: 17:48
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi ynë ka rritjen më të lartë të parashikuar ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023 dhe 2024.

Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Twitter, ka thënë se Banka Botërore ka konfiruar një të ardhme të ndritur ekonomike për Kosovën dhe kjo u rikonifrmua nga raporti i sotëm i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Ashtu si dhe @Banka Boterore konfirmoi një të ardhme të ndritur të afërt ekonomike për Kosovën, raporti i sotëm i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim @BERZH bëri të njëjtën gjë. Kosova ka rritjen më të lartë të parashikuar ekonomike në BB6 për vitin 2023 dhe 2024, sipas BERZH”, shkroi ai.

Ndryshe, BERZH ka publikuar sot parashikimin më të fundit për Perspektivat Ekonomike Rajonale.

Në këtë raport nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike.

Parashikimet e këtij institucioni për vendin tonë janë që këtë vit, Kosova të shënoj rritje ekonomike prej 3.5%.

Për vitin e ardhshëm, ekonomia jonë do të shënoj rritje për 4%.

“Prodhimi në Ballkanin Perëndimor, parashikohet të rritet me një normë prej 2.2 për qind në vitin 2023 mes erërave të kundërta nga presionet inflacioniste dhe një perspektive të ndrydhur për ekonomitë e përparuara në Evropë, përpara se të rritet deri në 3.4 për qind në vitin 2024. Me përjashtim të një rritjeje të rishikuar për Kosovën në vitin 2023, ku parashikimet e Bankës janë të pandryshuara nga shkurti”, thuhet në raportin e BERZH-it.

Pas Kosovës, është Mali i Zi që parashihet të shënoj rritje ekonomike prej 3.3%, pasuar nga Shqipëria me 2.5% dhe tri vendet tjera, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, me nga 2%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat