​Dëshmitari i gjashtë nis dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ja çka deklaroi sot

Aktuale

​Dëshmitari i gjashtë nis dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ja çka deklaroi sot

Më: 22 maj 2023 Në ora: 07:07 Përditësuar në ora: 18:27 më 22.05.2023
Seanca në Gjykatën Speciale

​Dëshmitari i gjashtë nis dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmitari i gjashtë ka deklaruar se është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe pastaj prokurori, Mattheë Holling tregoi se gjatë seancës përgatitore dëshmitari kishte kërkuar disa ndryshime në dëshminë e tij.

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari me kodin 4355 deklaroi se “personi 2” i kishte treguar atij se “personi 1” ishte rrahuar dhe nuk kishte qenë në gjendje të mirë. Ai tha po ashtu se edhe “personi 2” ishte i rrahur.

Detaje më tutje për gjendjen e “personit 1” kërkoi prokurori, Matthew Holling, por që dëshmitari tha se nuk i ka dhënë ndonjë përshkrim “personi 2” për gjendjen e “personit 1”.

Holling: Kur u ndalua personi 2 a e ka parë ai personi 1

Dëshmitari: Po

Holling: Personi 2 a të ka thënë ty se në çfarë gjendje ishte personi 1 kur ata janë parë me njëri-tjetrin

Dëshmitari: Jo në gjendje të mirë

Holling: A mund të na shpjegosh më tej jo në gjendje të mirë

Dëshmitari: I rrahur

Holling: Personi 2 a të ka dhënë ndonjë përshkrim për të përshkruar se në çfarë gjendje ishte situata e personit 1 pas rrahjeve që i kishin bërë

Dëshmitari: Jo

Gjatë dëshmisë së tij para gjykatores në Hagë, dëshmitari tha se “personi 2” i kishte thënë se personi 1 ishte ndaluar nga UÇK-ja pasi thuhej se ishte spiun i Serbisë.

Holling: Të ka thënë se pse e kanë ndaluar personi 2 dhe çfarë arsye i kanë dhënë personit 2 çfarë i kanë thënë pse e ka ndaluar UÇK personit 1 çka i kanë thënë personit 2

Dëshmitari: I kanë thënë se është bashkëpunëtorë i Serbisë, si spiun

Holling: Personi 2 a të ka shpjeguar se si janë rrahë ata ndërkohë që janë mbajtur të ndaluar

Dëshmitari: Po, personi 2 mezi e kanë liruar

Tutje, dëshmitari i pestë i ZPS-së deklaroi se “personi 2” kur kishte shkuar në shtëpi ishte në gjendje shumë të rëndë për shkak të rrahjeve që kishte marr gjatë mbajtjes.

Dëshmitari gjatë dhënies së dëshmisë së tij në pyetjet e ZPS-së u shpreh se “personi 2” kur ishte kthyer në shtëpi e kishte kokën e qartë dhe trupin e mavijosur nga rrahjet.

Më pas prokurori i ZPS-së e pyeti dëshmitarin e gjashtë edhe për personat tjerë të ndaluar nga UÇK-ja.

Holling: Çfarë tha ai për mënyrën se si e kishin rrahur, na e përshkruaj pak të lutem se çfarë tha ai lidhur me rrahjen

Dëshmitari: Ka treguar se shumë e kishin rrah dhe me sy e kemi parë që ka qenë i rrahur shumë

Holling: Na përshkruaj më tej se si dukej personi 2 pasi u lirua

Dëshmitari: Pasi ka ardhur në shtëpi kemi hyrë brenda dhe kokën e ka pas të qamë, fytyrën e ka pas ngjyrë të zezë dhe trupin e ka pas mavi të rrahur

Holling: Personi 2 a të tregoi nëse kishte parë të burgosur të tjerë së bashku me personin 1

Por kjo përgjigje e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Holling: Personi 2 a e dinte se si quheshin këta personat tjerë të ndaluar

Dëshmitari: Jo

Ndërsa, kur u pyet nga ZPS-ja nëse familjarët e dëshmitarit i ka mësuar emrat e të ndonjë të burgosurit tjetër, për këtë përgjigje e tutje u kërkua të vazhdohet në seancë të mbyllur për publikun.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas pauzës njëorëshe, seanca gjyqësore në Hagë vazhdoi të jetë e mbyllur për publikun.

Pyetjet e parashtruara nga trupi gjykues ndaj dëshmitarit të pestë u bënë në seancë të mbyllur për publikun, por në raste kishte edhe përmbajtje të reduktuar.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes së ish kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, karshi dëshmitarit të pestë të saj ZPS-së parashtroi edhe disa pyetje sqaruese për uniformën dhe emblemën që mbanin personat e maskuar për të cilën kishte folur dëshmitari.

Prokuroria kërkoi që një video për të cilën parashtroi disa pyetje për dëshmitarin e pestë të përfshihet si provë materiale në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dhe për këtë nuk pati kundërshtime.

Por, për dallim nga katër dëshmitarët e kaluar dëshmitë e të cilëve u dëgjuan nga palët në seanca të mbyllura për publikun, një pjesë e dëshmitarit me kodin 3165 ka qenë e hapur për publikun. Por, që edhe gjatë dëgjimit të dëshmisë së tij masat si seanca të mbyllura por edhe pjesë të redaktuara kanë qenë mjaftë të shpeshta.

Dëshmitari i pestë i ZPS-së dëshminë e tij kundër Thaçit dhe të tjerëve e nisi javën që shkoi dhe gjatë dëshmisë së tij ai deklaroi para trupit gjykues në Hagë se d ka qenë pjesë e UÇK-së që nga korriku i vitit 1998.

Gjatë dëshmisë së tij në pyetjet e ZPS-së, dëshmitari i pestë deklaroi se disa anëtarë të UÇK-së me maska të zeza, ia kishin kidnapuar disa familjarë.

Derisa, javën e kaluar dëshmitari u morë në pyetje edhe nga mbrojtja e Thaçit dhe Veselit, në seancën e sotme mbrojtja e Selimit dhe Krasniqi parashtruan pyetjet e tyre.

Edhe seancën e sotme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së krahas pjesëve të shpeshta që ishin në seanca të mbyllura për publikun u karakterizuan edhe përmbajtjet e reduktuara.

Të mërkurën e kaluar, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Dëshmitari 5 flet për vrasjen e një personi nga disa burra të maskuar: Vetë nuk kam qenë aty

Dëshmitari numër 5 po e vazhdon dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

Kësaj radhe ai po merret në pyetje nga avokati i Rexhep Selimit. Dëshmitari 5 ka folur për largimin e tij fillimisht nga UÇK-ja e më pas ribashkimin.

Por pyetjet kryesore u bëën lidhur me kidnapimin e më pas vrasjen e një personi me numër 1.

Dëshmitari ka thënë se kanë qenë burrat e maskuar me uniforma të UÇK-së që e morën këtë person, të cilin ai e gjeti të vrarë.

Megjithatë, dëshmitari 5 e ka pranuar se nuk ka qenë aty kur pretendohet se është kryer ky krim.

Biseda e dëshmitarit 5 me avokatin e Rexhep Selimit:

Avokati: Kjo ka lidhje me ditën konkrete ku personi numër 1 u kidnapua. Të jemi të qartë do të flasim edhe më vonë. Ne nuk po e vëmë në dyshim se kanë ardhur burra të maskuar kanë hyrë në fshat dhe e kanë kidnapuar personin në fjalë. Duam të dijmë çfarë dëshmie ke dhënë ti për këtë ngjarje. Kishin maska të plota komplet fytyrën?

Dëshmitari: Po.

Avokati: Pra kishin marrë masa ekstreme që të mos i njihnit?

Dëshmitari: Sigurisht.

Avokati: Edhe pse ishte pak metra larg tyre, më duket se e kape një prej tyre ti nuk e identifikoeve se maskat ishin të plota?

Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

Avokati: The se kishin uniforma të zeza. Dua të jem i qartë. Uniformat ishin thjesht tesha të zeza?

Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

Avokati: Ishin identike apo thjesht tesha të zeza?

Dëshmitari: Çka kam parë unë kanë qenë identike.

Avokati: Mund të bliheshin thjeshtë edhe nga të tjerët, se vetëm tesha të zeza ishin?

Dëshmitari: Nuk e di ku i kanë marrë.

Dëshmitari: Policia ushtarake mbante uniforma identike.

Avokati: Duke pasur parasysh faktin se ishin uniforma të zeza. Ti nuk mund të thuash se ata ishin individë të Policisë ushtarake?

Dëshmitari: I kam parë me tesha të zeza, me uniformë të UÇK-së e me maska. Nuk e di çfarë pozicioni kanë pasur.

Avokati: Në thelb e pranon se mund të kishte qenë kushdo me uniformë të zezë?

Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

Avokati: Ti nuk e di me siguri pse këta burra donin të flisnin me personin 6?

Dëshmitari: E kanë kërkuar personin 6 edhe nuk e kanë lënë me dalë, edhe më andej nuk e di pse e kanë kërkuar dhe pse e kanë marrë numrin 1. Me zbutë situatën, ka thënë hajde shkojmë te unë edhe ua bi numrin 6, bisedojmë në odë. Çkado që kërkoni bisedojmë aty.

Avokati: Ti nuk ishte i pranishëm vetë fizikisht, pasi u bë ky muhabet. Dhe informacionet që more në këtë bisedë, të erdhën nga bisedat me bashkëfshatarët?

Dëshmitari: Nuk dëgjohet.

Avokati: Gjatë 20 viteve a ke biseduar me bashkëfshatarët rregullisht lidhur me këtë ngjarje?

Dëshmitari: Kena bisedu gjatë. Veç rreth vrasjeve kena bisedu. Qysh ka ndodhë rasti, qysh e kanë marrë. Për këto kena bisedu. Pas vrasjes kena diskutu, se para vrasjes nuk kena mujt.

Avokati: Nëse e pranon se nuk mund të thuash konkretisht se çfarë ka ndodhur atë ditë, sepse kanë kaluar 20 vjet. A e pranon që nuk e bëni një ndarje të qartë me atë që di ti, dhe atë që kanë treguar?

Dëshmitari: Nuk di si ta shpjegoj.

Avokati: Sa i takon kidnapimit, ti e di se burrat e maskuar që morën numrin 1 e morën nga fshati por nuk e di nëse janë të njëjtët persona përgjegjës për vrasjen e këtij personi?

Dëshmitari: Njerëzit me maska e kanë marë numrin 1, 2 dhe 3. 2 dhe 3 i kanë zbrit, dhe e kanë bërë vrasjen e personit 1.

Avokati: Ti nuk e di 100% se kjo që mori personin 1 janë të njëjtit që e kanë vrarë?

Dëshmitari: Nuk kam qenë prezentë. Kur jam shku e kam gjetur të vrarë, edhe letrën e kam gjetur aty.

Avokati: Por ti e di që këto kanë ndodhur, por nuk e di që burrat e maskuar ishin përgjegjës për të dyja këto gjëra?

Dëshmitari: Vetë nuk kam qenë prezentë, por përpos tyne nuk besoj që ka pasur të tjerë.

Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimin ndaj krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Edhe sot do të flas dëshmitari i pestë i cili filloi dhënien e dëshminë, javën e kaluar, një pjesë e së cilës u dha në seancë private dhe një pjesë në seancë publike.

Ndryshe javën e kaluar, ka dhënë dëshminë edhe dëshmitari i katërt i thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët vazhdoi dhënien e dëshmisë.

Gjatë kësaj kohe Mbrojtja mori në pyetje dëshmitarin. Dëshmitari e dha dëshminë në seanca private.

Po ashtu Trupi Gjykues shprehu shqetësimin se pothuajse të gjitha dëshmitë deri tani në këtë çështje gjyqësore janë dhënë në seanca private ose të mbyllura, dhe u kujtoi palëve se është në interesin publik që ky proces të zhvillohet, për aq sa është e mundur, në mënyrë publike.

Trupi Gjykues udhëzoi palët të mbajnë parasysh parimin e procesit publik dhe lëshoi një urdhër gojor ku kërkoi parashtrime mbi hapat konkretë për të siguruar një shkallë më të lartë publiciteti të procesit gjyqësor.

Seancat në DHSK janë publike përveçse kur Trupi Gjykues vendos të mbajë seancë të mbyllur ose të kalojë në seancë private në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.

Sipas rastit, Trupi Gjykues vendos që pjesë të procesit gjyqësor t’i mbajë në seanca private ose të mbyllura dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave.

Mbrojtja, Prokuroria, ose mbrojtësi i viktimave mund të kërkojnë që e gjithë seanca, ose pjesë të saj, të mbahet në seancë private ose të mbyllur. Vendimi i gjykatësve për miratimin ose jo të kërkesës merret pas shqyrtimit të kujdesshëm, ndër të tjera edhe të rrethanave specifike të dëshmisë ose argumenteve të planifikuara për atë ditë.

Gjykatësit kujdesen që të balancojnë nevojën për të mbrojtur dëshmitarët me të drejtat e të akuzuarve.

“Pra, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre mund të dëgjojnë se çfarë thotë dëshmitari dhe kanë të drejtë ta marrin në pyetje dëshmitarin”, Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së në inforimin javor.

Në Urdhrin mbi Zhvillimin e Gjykimit, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët bëri të qartë se “argumentet ligjore dhe paraqitja e provave nga palët dhe pjesëmarrësit do të bëhet në seanca të mbyllura ose private vetëm kur të jetë absolutisht e domosdoshme.

Seancat në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për këtë javë janë planifikuar të vazhdojnë nga sot deri të mërkurën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat