Të enjten betohen kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit

Aktuale

Të enjten betohen kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit

Më: 23 maj 2023 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Të enjten pritet ta kryejnë betimin Ilir Peci si kryetar i ri i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri si kryetari i ri i Zubin Potokut. Peci e Zeqiri, procedurën e betimit do ta kryejnë në orën 10:00 në “objekte publike”. Këtë e konfirmoi zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi.

Ilir Peci e Izmir Zeqiri të enjten e 25 majit në orën 10:00 do ta japin betimin si kryetar të Zveçanit e Zubin Potokut.

Këtë e konfirmoi zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi. Ai për median tha se të dy kryetarët do ta bëjnë betimin në objekte publike, duke shtuar se seancat solemne janë thirrë nga asamblistët më të vjetër të dy asambleve, që janë nga radhët e VV-së.

“Të dy komunat që i ka fituar PDK nga zgjedhjet, kanë ftuar brenda afatit ligjor, seancat e tyre për datën 26 maj, por ftesat është bërë nga asamblistët më të vjetër në këto dy komuna, ashtu siç e thotë ligji. Në këtë rast, ka qëlluar që në të dy asambletë, asamblistët më të vjetër të jenë nga radhët e Vetëvendosjes. Janë dërguar ftesat për datën 26 maj, njëra në orën 10:00 tjetra në orën 13:00, por me kërkesë të ministrive dy asamblistët më të vjetër në këto komuna i kanë ndërruar datat dhe vendet, për arsyet që ua ka kërkuar ministria, pra për shkaqe sigurie etj., dhe këto janë vendosur të mbahen me datën 25 maj në objekte publike, por vendin e kanë ndërruar asamblistët më të vjetër në koordinim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Mesa  e di të dy seancat do të mbahen në orën 10:00”, tha Gjoshi.

Peci e Zeqiri janë kandidatët e PDK-së që kanë fituar më së shumti vota në Zveçan e Zubin Potok në zgjedhjet e 23 prillit, që u karakterizuan me dalje të ulët të pjesëmarrjes në votime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat