KFOR vjen me reagim publik pas tensioneve në veri, ka një kërkesë urgjente për Kosovën dhe Serbinë

Aktuale

KFOR vjen me reagim publik pas tensioneve në veri, ka një kërkesë urgjente për Kosovën dhe Serbinë

Nga: A.M. Më: 29 maj 2023 Në ora: 10:45
Pjesëtarët e KFOR-it kanë vendosur disa gardhe metalike afër ndërtesës komunale në Leposaviq. 

KFOR ka dalë me një komunikatë për media lidhur me ngjarjet në veri.

Në njoftim, thuhet se qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, transmeton “Bota sot”.

Ndër të tjera, KFOR kërkoi nga Serbia dhe Kosova  “që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit”.

Njoftimi i plotë

Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë. Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim.

Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.

KFOR-i i kërkon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat