Policia: Situatë e brishtë, por e qetë në komunat veriore

Aktuale

Policia: Situatë e brishtë, por e qetë në komunat veriore

Më: 30 maj 2023 Në ora: 10:31
Pamje nga veriu

Situata në komunat veriore po vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë deri në këto momente.

Kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës, të cilët thonë se ditën e hënë në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan grupe kriminale kanë shfaqur dhunë ekstreme.

“Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”, thotë Policia.

Policia shton tutje, se protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme”, vijon reagimi.

Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.

Tensione në veri ka pasur që nga dita e premte, serbët janë duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të vazhdojnë punën në objektet komunale.

Ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe mediat duke ua djegur veturat. Nga zhvillimet e së hënës mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat