Osmani takohet me Scholzin e Macronin, presidentja zbardh detajet - ja çka biseduan

Aktuale

Osmani takohet me Scholzin e Macronin, presidentja zbardh detajet - ja çka biseduan

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 17:22 Përditësuar në ora: 18:21 më 01.06.2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Presidenca jep detaje të reja nga takimi i Osmanit me Scholz e Macron

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron, Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi.

"Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve.

Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon", thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Në takim me presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre.

Osmani flet për takimin me Scholzin e Macronin: Bashkëpunimi me partnerët është kyç

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka takuar kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Tashmë zonja presidente ka publikuar një postim në Facebook, ku shihet teksa ecën me dy liderët evropianë. Ajo ka shkruar se bashkëpunimi me partnerët është kyç.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç.

Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet.” – shkroi ajo.

Nis takimi Osmani-Scholz-Macron në Moldavi

Disa orë më herët sesa ishte parashikuar, ka filluar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz dhe presidentin Francës, Emanuel Macron.

Takimi është duke u mbajtur në Kishinau të Moldavisë në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian.

Pritet që temë kryesore e takimit të jetë situata e fundit e sigurisë në rajon e në veçanti, ajo në veri të Kosovës.

Takimi trepalësh ishte planifikuar të mbahet rreth orës 17:00, por i njëjti tashmë ka filluar.

Ndërkohë, në anën tjetër, presidentja Osmani është e shoqëruar nga shefi i kabinetit, Blerim Vela dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat