LIVE: Dita e gjashtë e protestës, ​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

Aktuale

LIVE: Dita e gjashtë e protestës, ​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 13:54 më 02.06.2023
Një grua mban një pankartë, "Ne nuk jemi kriminelë, ne vetëm duam liri", jashtë bashkisë së Zveçanit në veri të Kosovës të premten, ndërsa tensionet mbetën të larta pas përleshjes me paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO në fillim të kësaj jave.

​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka përsëritur kërkesat që sipas tij duhet t’i plotësojë Qeveria e Kosovës në mënyrë që të ndërpriten protestat në veri.

Duke folur para gazetarëve, Rakiq i ka ndarë kërkesat në dy faza ku faza e parë sipas tij është tërheqja e policisë nga komunat e veriut, lirimi i të gjithë të arrestuarve nga protestat, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të mos shkojnë në objektet komunale.

Ndërsa faza e dytë sipas tyre është tërheqja e njësitë speciale nga veriu i Kosovës, formimi i Asociacioni si dhe ndërprerja e procedurave gjyqësore ndaj të gjithë të dyshuarve, duke përfshirë këtu edhe të arrestuarit e protestës.

Ai nuk ka dashur të flas për zhvillimet e djeshme ku ndërkombëtarët kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, duke thënë se zyrtarisht nuk kanë asnjë përgjigje.

“Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, protestuesit serbë nxjerrin pankartat në Zveçan

Qindra protestues serbë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Zveçan, për të vazhduar protestën kundër kryetarit shqiptar të komunës.

Disa protestues serbë në Zveçan ngritën pankarta, ku shkruan: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, apo “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e shok-bomba”, raporton REL.

Ata nuk nxorën asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre për dëbimin.

Image

Kujtojmë se Zveçani ishte skenë e përleshjeve të dhunshme midis protestuesve dhe ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

Protestuesit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, prej ditësh, protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë.

Numër simbolik i protestuesve në veri, punonjësit komunalë nënshkruhen në listat e evidencës

Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për të gjashtën ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Të punësuarit në Komunën e Zveçanit të cilët prej ditës së djeshme po nënshkruhen në listat e evidencës para gjemborëve të KFOR-it për prezencën e tyre në punë, kanë filluar të arrijnë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune, raporton Kp.

Aktualisht situata në Zveçan, por edhe në komunat tjera veriore në përgjithësi është e qetë, ndërsa numri i protestuesve është simbolik.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

Serbët nisin të nënshkruhen për protesta në veri

Fiks në orën shtatë para objektit të Komunës në Zveçan, protestuesit kanë nisur të nënshkruhen duke e arsyetuar veprimin se “nuk po lejohen të hyjnë në objektin e komunës”.

Është dita e gjashtë e protestave në veri. Serbët po kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të komunave në tri komuna në veri, nga objektet komunale.

Tensionet kanë përcjellë disa ditë protestat, ndërsa së fundmi protestat janë zëvendësuar me fyerje e provokime.

Dje, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se serbët e Kosovës në vazhdimësi janë nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.

Ministrit Sveçla, ka shkruar në Facebook se pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat