Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj nëntë doganierëve

Aktuale

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj nëntë doganierëve

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 15:15
Ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka dështuar të mbahet seanca për korrupsion, për shkak mungesës të akuzuarit Hekuran Dana, si dhe mungesës së mbrojtësit të akuzuarit Dritëro Zeka, avokatit Halim Shala.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimja për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në këtë rast Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar”.

Mungesën e të akuzuarit Dana, e ka arsyetuar mbrojtësit i tij, avokati Egzon Doli i cili tha se i mbrojturi i tij nuk mund të merr pjesë në këtë seancë për shkaqe shëndetësore.

Ndërsa, për mungesën e avokatit Shala, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi tha se i njëjti përmes postës elektronike ka njoftuar se nuk mund të jetë prezent në këtë seancë për arsye familjare.

Mungesa e kushteve ligjore ka bërë që kjo seancë të shtyhet, seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 7 qershor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021-ës, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat