Pula: Forcimi i shtetësisë bëhet me anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Aktuale

Pula: Forcimi i shtetësisë bëhet me anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 12:56
Shqipërim Pula

Kosova vazhdon të mos jetë pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare të cilat do të forconin subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Njëra ndër to ku Kosova nuk ka aplikuar është edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kosova nuk ka aplikuar asnjëherë për anëtarësim në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.  Pranimi i Kosovës në këtë organizatë evropiane do të nënkuptonte vazhdimin e  konsolidimit të pavarësisë së Kosovës edhe më tutje dhe integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare. 

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, në një intervistë  më herët i pati thënë Radio Kosovës se për të ndodhur një gjë e tillë, duhet konsensus  i të gjitha vendeve anëtare të kësaj organizate.

 “OSBE është organizatë që operon në bazë të konsensusit, me 57 shtete pjesëmarrëse, pra, i takon shteteve pjesëmarrëse që të përgjigjen në pyetjet lidhur me zgjerimin e anëtarësisë. Por ajo që megjithatë mund të them është që OSBE, si dhe Misioni i OSBE-së këtu në Kosovë, janë tejet të përkushtuar ndaj partneriteteve që kemi, të cilat i kemi krijuar e kultivuar për shumë vite, dhe jam krenar të them që Misioni i OSBE-së në Kosovë ka marrëdhënie tejet të mira me institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke përfshirë normalisht edhe komunat”, tha ai.

Për të aplikuar për pranim në OSBE, Kosova duhet të miratojë Aktin Përfundimtar të Helsinkit, Kartën e Parisit për Evropën e Re dhe të gjitha dokumentet e tjera të miratuara nga OSBE dhe t’i zbatojë të gjitha dispozitat që dalin nga këto dokumente ndërkombëtare.

Analistët vendorë në vazhdimësi kanë thënë se forcimi i shtetësisë së  Kosovës bëhet vetëm me anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Analisti Shqipërim Pula tha për Radio Kosovën se Kosova duhet të bëjë aplikimin për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare.

“Kosova duhet të aspirojë anëtarësim edhe në OSBE, UNESCO, INTERPOL e  EUROPOL. Vetëm përmes anëtarësimit në mekanizma të tillë Kosova mund të ta përforcojë shtetësinë e saj në arenën ndërkombëtare. Pra njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, tha ai..

Michael Carpenter, diplomati amerikan që shërben si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kishte shprehur keqardhjen që Kosova nuk është anëtare e këtij organi. Ai kishte  shtuar se “presin me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së.”

Mandati kryesor i Misionit  të OSBE-së, është marrja e rolit udhëheqës në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e institucioneve dhe të demokracisë, si dhe të drejtat e njeriut në Kosovë. 

Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka selinë e tij në Prishtinë dhe me pesë qendra rajonale në: Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prizren, dhe Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat