Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i tetë zbulon detaje nga një stërvitje e UÇK-së në Bajgorë - përmend komandant Remin

Aktuale

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i tetë zbulon detaje nga një stërvitje e UÇK-së në Bajgorë - përmend komandant Remin

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 07:06 Përditësuar në ora: 13:10 më 12.06.2023
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

​Avokati i Thaçit kundërshton pyetjen e prokurores: Janë spekulime

Pasi ka folur për një qendër që ai pretendon se janë ndaluar njerëzit në Bajgorë, dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka përmendur për një person që sipas tij është marrë në pyetje në brenda objektit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se kishte dëgjuar se personit të koduar me numrin 1 i ishin bërë pyetje me zë të lartë.

Dëshmitari: Personi me numrin 1 i janë bërë pyetje me zë të lartë

“Ka pasur pyetje të parashtruara me zë më të lartë sesa që është normale që të parashtrohet një pyetje. Zëri ka qenë shumë I lartë, shumë detaje nuk kemi arrit me dëgju asnjëherë, me dëgju apo me kuptu nuk kam arrit. Fjala “pse” ka qenë shumë e shprehur”, ka thënë dëshmitari.

Derisa prokurorja Silvia D’Ascoli e ka pyetur atë se çfarë mendon se kishte ndodhur në atë dhomë, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

Prokurorja D’Ascoli: Në bazë të atyre që dëgjuat, si menduat ju, çfarë po ndodhte aty në atë dhomë?

Avokati Kehoe: Këto janë spekulime, po kërkohet se çfarë mendonte kur në fakt mund të dëshmohet vetëm çfarë ka dëgjuar.

Gjykatësi Smith Pranohet kundërshtimi.

Prokurorja D’Ascoli: A mund të dëgjonit ju se cfarë po ndodhte brenda dhomës?

Dëshmitari: Në bazë të kuptimit, që kam arrit me kuptu ka qenë intervistë, për arsye se është kërkuar llogari ndaj një personi të caktuar.

Prokurorja D’Ascoli: Diçka tjetër që ju kujtohet lidhur me atë rast?

Dëshmitari: Për momentin nuk mund t’i cek saktë.

Prokurorja D’Ascoli: Çfarë ndodhi më pas?

Dëshmitari: Pas 15 minuta ose gjysmë ore ku ka qëndruar personi 1, janë larguar nga objekti, janë larguar komplet, me makinë, dhe ne kemi vazhduar normal derisa e kemi pasur të caktuar.

Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së seanca ka vazhduar e mbyllur për publikun.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Dëshmitari 8 flet për një stërvitje të UÇK-së në Bajgorë

Dëshitari i 8 në rastin e krerëve të UÇK-së po merret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ai është pyetur për një stërvitje të UÇK-së në Bajgorë, ku dëshmitari kishte marrë pjesë.

Dëshmitari e ka përmendur komandant Remin si udhëheqës të zonës, përderisa ka deklaruar se kanë qenë rreth 100 ushtarë në atë trajnim.

Biseda e transkriptuar e dëshmitarit me Prokurorinë:

Prokurorja: Po diskutonim për një stërvitjet të UÇK-së në Bajgorë. Ku ka ndodhur stërvitja në Bajgorë?

Dëshmitari: Ka ndodhur ka qenë e përqendruar në fshatin Bajgorë, në një shkollë ku kanë bo stërvitjet.

Prokurorja: Çfarë kishte atje në Bajgorë në atë shkollë?

Dëshmitari: Ka qenë Zona Operative e Llapit, ku ka qenë e përqendrum shtabi aty, depoja e municionit, ka qenë e përqendrum kuzhina ushtarake.

Prokurorja: Ju përmendët që shkolla ishte një bazë që i takonte Zonës së Llapit dhe që shtabi ishte atje. A e dini nëse shtabi i zonës së Llapit ishte i vendosur aty në Bajgorë?

Dëshmitari: Me dijeninë teme po.

Prokurorja: Përmendët zonën operative të Llapit. A mund të na thoni nëse në fakt Bajgora i takonte ndonjë zone specifike të UÇK-së?

Dëshmitari: Për kohën shtator, e di që ka qenë pjesë e zonës Operative të Llapit.

Prokurorja: A e dinit në atë kohë kur po stërviteshit se çfarë zone gjeografike mbulohej nga zona e Llapit?

Dëshmitari: Ka qenë një zonë e vogël, ka qenë krejtësisht në zona të thella malore. Kryesisht ka operuar jo në territor të komunës së Podujevës.

Prokurorja: Ku qëndronit ju, ku flinit gjatë stërvitjeve?

Dëshmitari: Në bazë ushtarake, që ka qenë në shkollë në Bajgorë.

Prokurorja: Sa ushtarë të tjerë ishin atje?

Dëshmitari: Përafërsisht kemi qenë 100 (nuk dëgjohet mirë).

Prokurorja: Përshkruani pak stërvitjetn. Çfarë temash mbuloheshin në stërvitje?

Dëshmitari: Çdo mëngjes ka qenë ngritja e flamurit himni ato, mëngjes ka qenë rutina e stërvitjes fizike. Kemi pasur vrapim, deri në ora 10 të mëngjesit që ka qenë pauza. E kemi pasur edhe kohën e mëngjesit. Pas mëngjesit kemi kaluar në stërvitje specifike, përdorimin e armëve, gjuajtje me armë, si ta bëjmë pastrimin e një armës, montimin e armës. Ka pasur shpjegime si të bëhet përgatitja e një bunkeri. Përdorimi i minave. Përdorimi i armëve të kalibrit më të rëndë. Nuk kemi pasur rast me i përdorë, pasi kemi pas mungesë të tyre.

Prokurorja: Stërvitja a përfshinte edhe informacione lidhur me detyrat e përgjegjësitë si ushtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Po, kjo ka qenë vazhdimisht.

Prokurorja: A përfshinte stërvitja edhe informacione për zinxhirin komandues, detyrat e përgjegjësitë ndaj eprorëve?

Dëshmitari: Po, gjatë gjithë kohës trajnimit, po koha e trajnimit neve s’kemi arritur me bo përfundimin e trajnimit sepse pas 4-5 dite, pasi kemi shku ka filluar beteja në zonën që po flasim.

Dëshmitari: U kanë shumë e lehtë për çdo ushtar, e edhe për qytetar, me bo identifikimin e ushtarëve serbë.

Prokurorja: Nëse iu kanë dhënë udhëzime për mënyrën se si të identifikohet armiku?

Dëshmitari: Kemi qenë në dijeni, e kemi pasur një pikë referimi të cilën jemi kanë të përqendrum.

Prokurorja: Stërvitja a kishte informacion për ligjet e luftës?

Dëshmitari: Po, por fatkeqësisht për shkak të rrethanave që janë krijuar nuk kemi arritur pjesën e shpjegimit, nuk kanë arritur me dhënë shpjegimin shkaku i rrethanave që u krijuan.

Prokurorja: A jeni stërvitur për të drejtat e civilëve?

Dëshmitari: Në mënyrë zyrtare, ligjore, jo nuk kemi arritur.

Prokurorja: Kush ishin personat që mbanin trajnim?

Dëshmitari: Nuk më kujtohen emrat. Uniformë unike nuk kemi pas përveç emblemës.

Prokurorja: A iu kujtohet nëse instruktorët ishin veshur në mënyrë të caktuar? A kishte ndonjë shenjë dalluese?

Dëshmitari: Shenjë dalluese ka qenë vetëm emblema e UÇK-së, ndërsa instruktorët kanë pasur uniforma të ndryshme. Nuk kemi pas uniformë unike.

Prokurorja: Juve a ju prezantua ndonjë komandant?

Dëshmitari: Po. Është prezantuar. Është prezantuar komandant Remi.

Prokurorja: Nga e kuptuar se çfarë roli kishte ai?

Dëshmitari: Në njërën prej rreshtimeve të mëngjesit është bërë prezantimi i tij.

Prokurorja: A u prezantua vetë ai, apo e prezantoi dikush?

Dëshmitari: Në njërën prej ushtrimeve ka qenë prezantimi i komandant Remit, ka qenë një fjalim 4-5 minuta. Fjalim falënderues për kurajon, u kanë fjalim informues.

Prokurorja: Po komandantë të tjerë a ju prezantuan gjatë stërvitjeve?

Dëshmitari: Ka pasur të ndryshëm, specifikisht më kujtohet vetëm Remi e jo të tjerët.

Prokurorja: A i dini postet që kishin?

Dëshmitari: Nuk jam i sigurt.

Prokurorja: Gjatë atyre ditëve a mësove për komandant të tjerë për zonën e Llapit?

Dëshmitari: Gjatë kohës së trajnimit nuk mësova për komandantë të tjerë. Kjo ka ndodhur me kalimin e kohës që i kam kuptuar si funksionon.

Prokurorja: A e dini nëse në atë kohë kishte një shtab të zonës së Llapit, a ishit në dijeni?

Dëshmitari: Po. Kemi qenë në dijeni, jo vetëm na por edhe si qytetar.

Prokurorja: Ekzistenca e shtabit të zonës së Llapit, është diçka që iu informuat gjatë stërvitjes apo para se të merrnit pjesë?

Dëshmitari: Ekzistonte edhe para stërvitjeve.

Prokurorja: Sa kohë zgjati stërvitja?

Dëshmitari: Stërvitja u dashtë me zgjatë 2 javë, por ka zgjatë prej 5 deri në 7 ditë.

Prokurorja: Pse u ndërpre?

Dëshmitari: Sepse në shtator filloi një betejë në zonën ku ishim tek trajnimet.

Prokurorja: Cila ishte beteja?

Dëshmitari: Beteja e Kaqandollit që e ka përfshi komplet regjionin e Shalës.

Dëshmitari i tetë fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i tetë me kodin 04323 do të fillojë dëshminë e tij të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Paraprakisht, nga ana e trupit gjykues janë trajtuar tri çështje.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith bëri të ditur se kanë vendosur që të ndryshojë urdhrin me gojë të 23 marsit me të cilin kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, duke e pranuar tani vetëm në pjesët përkatëse që do të përdor mbrojtja e Veselit.

Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe që nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

Çështja e dytë kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për riklasifikim të disa dokumenteve.

Gjykatësi pyeti mbrojtjes dhe se askush nuk e kundërshtoi kërkesën për riklasifikim të ZPS-së.

Kurse, lidhur me çështjen e tretë e cila ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit, trupi gjykues vendosi që mbrojtja të përgjigjet lidhur me këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor dhe nëse ZPS ka kundër-përgjigje, këtë ta parashtrojë deri në fund të orarit më 16 qershor.

Seanca po vazhdon në sesion privat.

Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë të gjithë të akuzuarit.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimi ndaj krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndryshe deri më tani ka përfunduar dëshminë dëshmitari i shtatë të ZPS-së, në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, Trupi Gjykues II më 6 qershor rrëzoi kërkesën e ZPS-së për t’i tërhequr vërejtje bashkëmbrojtësit të z. Thaçi, z. Dastid Pallaska, për deklaratat publike të bëra në një program televiziv.

Trupi Gjykues konstatoi se deklaratat e z. Pallaska për kanalin televiziv të Kosovës, RTK, “ndonëse shpesh të pabazuara dhe të pasakta”, nuk ishin përpjekje për të çorientuar qëllimisht publikun apo për të ndikuar në vendimin e Trupit Gjykues dhe as nuk u nxor informacion konfidencial.

Sa i përket deklaratës së pavërtetë të z. Pallaska se UÇK-ja është në gjykim, Trupi Gjykues bëri me dije se do t’i konsiderojë deklaratat e ardhshme publike të mbrojtësve, kur thonë se UÇK-ja është në gjykim,si deklarata që bëhen me vetëdije në kundërshtim me deklaratat gjyqësore.

Trupi Gjykues gjithashtu udhëzon mbrojtësin kryesor të z. Thaçi të njoftojë për këtë vendim z. Pallaska dhe u kujton bashkëmbrojtësit dhe anëtarëve të tjerë të ekipit detyrimet në bazë të Kodit të Etikës dhe Urdhrit mbi zhvillimin e Gjykimit dhe bën paralajmërime, nëse është e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat