​Tahiri: Kosova e sanksionuar, Qeveria dhe Kuvendi po “mrizojnë”

Aktuale

​Tahiri: Kosova e sanksionuar, Qeveria dhe Kuvendi po “mrizojnë”

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 15:17
Besnik Tahiri

Për shkak të dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në mungesë të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të mund të mbahet as interpelanca e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ministrin e Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në konferencën për media, pas kësaj mbledhje shprehu edhe njëherë qëndrimin e tyre se vazhdimi i qeverisë Kurti është vazhdimi i agonisë dhe i varfërisë.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri po ashtu theksoi se si parti e kanë ftuar ministrin Murati në interpelancë për çështjen e koeficientit të pagave dhe mungesën e investimeve kapitale.

Tahiri: Po vazhdon dështimi i mbajtjes së seancave të rregullta

Edhe sot dështoi, edhe po vazhdon dështimi i mbajtjes së seancave të rregullta, do të kemi të enjten një seancë vazhdimi të disa pikave...Ne e kemi thirrur një interpelancë të ministrit të Financave, Hekuran Murati për dy çështje për koeficientin i cili është tepër zhgënjyes për zyrtarët publikë, dhe për mungesën e investimeve kapitale në Kosovës. Kjo interpelancë nuk do të ndodh për shkak të se nuk do të ketë seancë“, u shpreh ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se Kosova tani është e izoluar dhe sanksionuar nga SHBA-të, ndërsa kryeministri, Qeveria dhe Kuvendi po injorojnë situatën.

Tahiri: Kosova tani më është e sanksionuar nga SHBA

Kosova tani më është e izoluar, Kosova tani më është e sanksionuar nga SHBA, kryeministri, Qeveria, Kuvendi, janë duke mrizuar dhe duke e injoruar një situatë e cila me të vërtetë është brengë për të gjithë ata njerëz të cilët kanë dhe dinë diçka për këtë vend. Kjo qasje e tregon papërgjegjshmërinë dhe jo seriozitetin e trajtimit të temës dhe për AAK vazhdimi i kësaj qeverie është vazhdimi i agonisë, vazhdimi i varfërimit të këtij vendi dhe i dobësimit të sovranitetit të Kosovës”, theksoi ai.

Edhe deputeti i AAK-së është shprehur kritik karshi pushtetit për mos rregullimin e pajisjeve për votim elektronik në Kuvend të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat