Escobar sot mban konferencë për media, pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë

Aktuale

Escobar sot mban konferencë për media, pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 07:58
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, sot më 16 qershor, do të mbajë një konferencë online me gazetarë.

Kjo konferencë pritet të mbahet nga ora 15:00.

Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka njoftuar se tre pjesëtarë të saj janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës. Policia në konferencë për media kishte prezantuar edhe një hartë nga vendi ku raportohet se u kidnapuan policët.

Ndërsa, në anën tjetër, Serbia po pretendon se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë, larg kufirit nga Kosova.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.

Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat