​Sërish pezullohet licenca e biznesit për Klan Kosovën

Aktuale

​Sërish pezullohet licenca e biznesit për Klan Kosovën

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 16:05
Klan Kosova

Klan Kosova ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka anuluar vendimin e një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion.

Sipas tyre, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së punon për Klan Kosova, por që televizioni ka thënë se ky fakt nuk qëndron.

Prestreshi është raportuar se është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.

Vendimi ka edhe këshillën juridike, në të cilën thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqytimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.

“Klan Kosova vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë. Klan Kosova, si dhe deri më tash, edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat