​Një muaj paraburgim për Dragisha Milenkoviq

Aktuale

​Një muaj paraburgim për Dragisha Milenkoviq

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për Dragisha Milenkoviq, ndaj të cilit ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur nga Gjykata Themelore, përmes një komunikate për media.

“Gjyqtari i procedurës paraprakee ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 nën-paragrafi 1.3 të KPPRK., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ”, është bërë e ditur në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se Milenkoviq, ishgardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit,në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.

“Pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që ti godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma etj, dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, është theksuar në komunikatë.

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka arrestuar Dragisha Milenkoviq, për krime lufte kundër popullsisë civile.

Arrestimi i tij është bërë në zonën e Graçanicës.

Pas arrestimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat