Abdixhiku me kritika të ashpra për Kurtin: LDK së shpejti prezanton planin për kapërcimin e izolimit e krizës

Aktuale

Abdixhiku me kritika të ashpra për Kurtin: LDK së shpejti prezanton planin për kapërcimin e izolimit e krizës

Nga: M.L. Më: 29 qershor 2023 Në ora: 10:17
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka lëshuar një varg kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti  dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Abdixhiku në një postim në Facebook ka thënë derisa Serbia po merr përkrahje ndërkombëtare, Kosova nuk ka qenë kurr më keq ndërmobëtarisht se sa sot.

Për këtë arsye Abdixhiku dhe partia që ai e udhëheqë do të dalin me plan për kapërcimin e izolimit e krizës.

“Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”, shkruan Abdixhiku mes tjerash.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur.

E vërteta është e trishtë.

Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën.

Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne.

Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie.

Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot.

Kosova mundet më mirë.

Kosova meriton më shumë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat