BE-ja reagon edhe një herë për shpalljen e dy organizatave në veri të Kosovës si terroriste

Aktuale

BE-ja reagon edhe një herë për shpalljen e dy organizatave në veri të Kosovës si terroriste

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 21:44
Josep Borrell

Bashkimi Evropian ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Brukselin zyrtar sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

Qeveria e Kosovës, më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste në një mbledhje të saj.

Një zëdhënës i BE-së tha se udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Evropian javën e kaluar bënë thirrje për një de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në Kosovë.

Këto emërtime sipas tij, “janë një hap i njëanshëm që nuk kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës dhe për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme”.

BE-ja në një përgjigje të mërkurën mbrëma tha se presin që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në rritje të mëtejshme të tensioneve.

Po ashtu, Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa urgjente për ta depërshkallëzuar situatën në komunat veriore.

“Ne përsërisim thirrjen që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritje të mëtejshme të tensioneve dhe të ndërmarrin hapa urgjentisht për të de-përshkallëzuar situatën aktuale në veri të Kosovës në përputhje me propozimin e bërë nga HRVP Borrell për 22 qershor dhe Deklarata e BE-së më 3 qershor”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Njashtu si BE-ja, edhe Departamenti amerikan i Shtetit kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin për shpalljen e këtyre dy organizatave terroriste.

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Zëdhënësi i DASH-it kishte deklaruar se ShBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.

“Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha ai.

Vendim të njëanshëm të Qeverisë Kurti e kanë konsideruar edhe Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Nga ana tjetër, autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat