Kusari-Lila thotë se më i dëmshëm sesa masat e BE-së është mosvotimi i opozitës në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

Kusari-Lila thotë se më i dëmshëm sesa masat e BE-së është mosvotimi i opozitës në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 22:50
Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar vendosjen e masave të përkohshme nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, në raport me projektet apo programet investive.

Kusari madje tha se më e dëmshme për Kosovën është një bojkot i opozitës për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare, sesa situata aktuale me masat.

“Më e dëmshme është një bojkot i opozitës në Kuvend për mosvotim të ndonjë marrëveshje ndërkombëtare sesa aktualisht situata me masa. Çka është shumë më brengosëse për ne është fakti se, në situatën kur ngjarjet në veri janë provokuar dhe janë shtyer deri në këtë pikë nga një insistim i vazhdueshëm i Serbisë, thuhet se janë gati masat ndaj Serbisë se nëse ata vazhdojnë me deeskalim do të vendosen masa ndaj tyre. Pse ngutia t’i vendosen masat Kosovës kaq shpejtë kur rrethanat po ndodhin në Kosovë, kur Kosova ishte ajo që kishte mbajtur zgjedhje, kishte zbatuar të gjitha kërkesat që i’u kërkuan nga Bashkimi Evropian, kishte pranuar që të shtyjë afate për certifikim të zgjedhjeve, kishte vendosur vendvotime alternative për të mos provokuar”, tha Kusari – Lila.

Tutje shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, tha se Kosova ka bërë krejt çka i është kërkuar nga Bashkimi Evropian, teksa në anën tjetër Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen e Brukselit.

“Krejt çfarë është kërkuar nga Kosova është bërë deri në ditën kur pastaj kanë shkuar kryetarët sipas ligjit në fuqi të hyjnë në ndërtesat zyrtare, në të cilat e kemi parë çfarë është gjetur. Dhe në anën tjetër është Serbia e cila nuk ka zbatuar marrëveshjen e Brukselit ka shkelur planin e veprimit të Ohrit, nuk ka pranuar të nënshkruajë ka lobuar kundër Kosovës ka votuar kundër Kosovës në fazën e parë të votimit në Këshillin e Evropës, ka parandaluar dhe ka shantazhuar serbët për mospjesëmarrje në zgjedhje …”, shtoi ajo.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti  ka bërë të ditur se gjatë takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se e ka nisur me vërejtje për masat që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës.

“Por takimin natyrisht e kam filluar me vërejtjen time, me theksimin tim, që masat ndaj Kosovës janë të padrejta, ndonëse thuhet se janë të përkohshme, meqenëse Kosova nuk mban asnjë faj as për eskalim të gjendjes, as për mosnormalizim të raportit”, tha Kurti.

Teksa një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka konfirmuar gjatë mbrëmjes së 1 korrikut se Qeverisë së Kosovës i ishin komunikuar masat ndëshkuese qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

“Kosova, për keqardhje, akoma nuk i ka bërë hapat e domosdoshëm. Prandaj BE-ja, siç kishte paralajmëruar në deklaratën e tij në emër të shteteve anëtare më 3 qershor përfaqësuesi i Lartë [Josep Borrell], ka marrë vendim për implementimin e disa masave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat