Pas takimit me Kurtin, flet ambasadori amerikan

Aktuale

Pas takimit me Kurtin, flet ambasadori amerikan

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 18:40 Përditësuar në ora: 19:06 më 10.07.2023
Foto nga takimi

Hovenier pas takimit me Kurtin: Tensionet e ngritura, ndikojnë negativisht në klimën e investimeve

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përmendur edhe njëherë krizën që mund të thellohet nga tensionet e ngritura, në raport mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas një diskutimi rreth sfidave në biznes, që kishte me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, ambasadori Hovenier, po vlerëson se gjendja e tillë me tensione, ndikon negativisht edhe në klimën e investimeve.

”Mora pjesë sot në një bisedë të rëndësishme mes kryeministrit Kurti dhe liderëve kosovarë të biznesit për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të dialogut mes qeverisë dhe sektorit privat. Ne diskutuam gjithashtu se si tensionet e rritura dhe paqëndrueshmëria ndikojnë negativisht në klimën e investimeve të Kosovës”.

Kurti dhe Hovenier takuan përfaqësues të bizneseve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në këtë takim, ku krahas ambasadorit Hovenier, ishin edhe përfaqësues të USAID-it e të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat.

Gjithashtu bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për mundësitë dhe sfidat, në sektorin privat, me theks te financimi i zgjerimit të biznesit dhe fuqia punëtore, si dhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në Kosovë.

“Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme. Ai i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në Qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e qeverisë drejt energjisë së ripërtërishme”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se qëllimi i këtij takimi ishte avancimi i komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat, si hap drejt forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat