Masakra e Srebrenicës, Osmani pret në takim deputetin Mehmedoviq

Aktuale

Masakra e Srebrenicës, Osmani pret në takim deputetin Mehmedoviq

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 16:05
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, ka pritur në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq, si dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë, përfshirë zëvendëskryeministren Emilija Redxhepi dhe deputetë të Kuvendit të Republikës.

Në takim, Osmani ka potencuar se vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe.

Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës.

Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës, sepse ky mohim ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

Në diskutim me deputetin Mehmedoviq, Presidentja ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi.

Mehmedoviq e falënderoi Osmanin për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për rolin e saj në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës për Gjenocidin në Srebrenicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat