Shtëpia e djegur në Istog, banorët thonë se s’ka të bëjë me probleme ndër-etnike

Aktuale

Shtëpia e djegur në Istog, banorët thonë se s’ka të bëjë me probleme ndër-etnike

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 20:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Shtëpinë në këtë truall thotë se e kishte blerë nga serbët e kishte ndërtuar në vitet e 80-ta, ndërkaq deri në fillimin e luftës fqinj të parë e kishte një serb.

Svetisllav Josiqit e mbanë mend mirë Xhafer Delijaj, tash në pension.

“Kanë qenë kojshi (fqinj të mirë), nuk mundem me fol keq për ta. Mirëpo për sa i përket kësaj ngjarjes që ka ndodhur, këtu une nuk mundem me ditë edhe nuk besoj që dikush prej kojshive (fqinjëve) që e ka bërë”, ka deklaruar Xhafer Delijaj, fqinj.

Këtë raport e kishin deri në kohën e luftës, atëherë kur Josiqi u largua për në Serbi.

Vitin e fundit i njëjti po planifikonte të kthehet në fshatin Veriq në Istog, por jo gjithcka shkoj sipas planit.

Sveta siç e njohin banorët lokalë, ka qenë person liberal për çka e kanë respektuar e gjithë zona.

“Vallahi unë e kam ndje veten shumë keq, pse? a di si është një punë kur nuk ke çka me i bo kalit e i mëshon “samarit”, ajo nuk është në rregull”., ka deklaruar Delijaj.

Përpos me Xhaferin edhe disa banorë tjerë prapa kamerës thanë se me serbin që dikur e kishin fqinj nuk kanë kurrfar problemi prandaj nuk besojnë se dikush i lagjes qëndron prapa këtij incidenti.

RTV Dukagjin ka arritur të komunikojë përmes telefonit me vet Svetisllavit por që nuk ishte i gatshëm të flasë. Çka pati të flasë ai e tha bashkëshortja Vera Josiq.

“Paj nuk e di. Ne të premten kemi pranuar çelësat dhe pastaj kjo organizata e juaj na ka thënë që të kthehemi në shtëpi në Jagodinë derisa të vijnë mobilet se nuk kishim mobile sepse vetëm dyshemeja dhe banjoja ishin të rregulluara. Jo ne nuk dyshojmë, nuk e dimë. Policia e din më së mirë këtë dhe ju se kush është dhe çka. Ne nuk dyshojmë në askënd prej fqinjëve. Jo, mund t’i pyesni lirisht. Me secilin jemi mirë”, ka deklaruar Vera Josiq, pronare e shtëpisë.

Për këtë rast janë vënë në lëvizje Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë.

“Policia ka nisur hetimet, por që deri më tani nuk ka të arrestuar..”, ka deklaruar Fadil Gashi, Zëdhënësi i Policisë në Pejë.

“Në vendin e ngjarjes ka elemente ku zjarrëvënia dyshohet të jetë bërë e qëllimshme, nga personi ose persona të mundshëm. Dhe për këtë çështje prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës që të marrë veprime konkrete”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë.

Ndonëse e braktisur qe dy dekada gjatë ditës, në këtë oborr kishte shumë vizitorë.

Ndër ta ambasadori amerikan, kryetari i komunës, Ilir Ferati dhe Ministri për Komunitete, Nenad Rashiq,

Ky i fundit u zotua se projektin që e kanë nisur do ta përfundojnë.

“Ju nëse nuk keni vëllain dhe motrën është një gjë që fatkeqësisht të ndodh, por nëse nuk e keni kojshinë (fqinjin) e mirë, atëherë ju me të vërtetë jeni i humbur”, ka thënë Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim.

Rashiq bënë thirrje që rastet ku fajtor mund të jenë disa individë mos përdoren për të fajësuar një komunitet të tërë, e për të përhapur gjuhë të urrejtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat