​“Skandali më i madh politik”, PDK kërkon llogari për bisedat e Kusarit me Radojçiqin

Aktuale

​“Skandali më i madh politik”, PDK kërkon llogari për bisedat e Kusarit me Radojçiqin

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 11:11
Uran Ismaili

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, e cilësuar si skandalin më të madh politik bisedat e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq e që përmes tij, ajo ka komunikuar edhe me të kërkuarin nga drejtësia Milan Radojçiq.

Sipas Ismailit, kjo bisedë dëshmon se pushteti aktual ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, pavarësisht se Kurti ka këmbëngulur se nuk ka as njëlloj bashkëpunimi me Listën Serbe.

Ismaili tha se është e çuditshme dhe e pamoralshme si Kusari-Lila ankohet para Listës Serbe edhe për kërkesat e veteranëve të UÇK-së.

Ismaili: Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti

“Dëshmohet edhe njëherë mendësia e këtij pushteti që kurdo e në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit duke iu ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi siç është energjia, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Milan Radojçiqin, ose me bekimin dhe aprovimin e tij”, tha Ismaili.

Ismaili tha se bisedat me bandat kriminale në veri, mes shefes së GP të LVV, nuk sjellin asnjë të mirë për qytetarët e Kosovës.

Ai pyeti se si është e mundur që një politikane e lartë e pushtetit komunikon direkt me një njeri të kërkuar nga drejtësia duke i dhënë atij garanci për procesin ndaj tij dhe për trajtimin e tij nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, kjo është një ndërhyrje në drejtësi dhe është mundësi favorizuese për Milan Radojçiqin dhe mundësi për t’u hetuar.

Ismaili: Kurti e Kusari-Lila kanë obligim të japin llogari

“Kryeministri Kurti dhe zonja Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë. Tendenca për ta normalizuar koordinimin dhe komunikimin me Milan Radojçiqin veçse e thellon dhe e bën bashkëpjesëmarrëse gjithë qeverinë në këtë skandal. Milan Radojçiq është një person i kërkuar nga Policia e Kosovës si për Mimoza Kusarin ashtu edhe për Albin Kurtin. Dhe nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme dhe normale. Propaganda e shfajësimi nuk janë e vërteta. E vërteta është se biseda me Radojçiin ka ndodhur, është pranuar nga Mimoza Kusari-Lila dhe çdo gjë përpos llogaridhënies para qytetarëve dhe drejtësisë është tentim për të vazhduar të fshihet e vërteta”, vijoi Ismaili.

Në incizimin e publikuar mes Kusari-Lilës dhe Simiqit, dëgjohet deputetja e LVV-së duke e ofenduar edhe vetë Ismailin për të cilin tha se nuk ishte ndjerë mirë kur e kishte dëgjuar.

Ismaili: Nuk u ndjeva mirë kur dëgjova duke më ofenduar

Nuk desha dhe nuk u mora fare me ofendimet personal që kanë ndodh sepse ka gjëra të tjera që janë me rëndësi por për faktin që po më pyesni natyrisht që nuk është e lehtë kur dëgjon duke të të ofenduar pa ndonjë arsye dhe në mënyrë personale për qëndrime të tua politike. Për ofendimi më i madh është duke i ndodhur qytetarit të Kosovës”, tha Ismaili.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë lënë të kuptohet se do të organizojnë protestë pas fyerjeve ndaj veteranëve të UÇK-së, mirëpo Ismaili tha se PDK do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje, pavarësisht se ai është kundër.

Ismaili: Do të kemi një qëndrim për protestat

“Ne do ta analizojmë gjendjen natyrisht që si parti politike po e shohim që ka një stangim të madh në jetën e qytetarëve... besoj që kërkon që edhe PDK të intensifikojë përpjekjet e saj që të krijojë një platformë më të mirë dhe një mundësi më dobiprurëse për qytetarët tanë që të dalin nga kjo krizë. Tani në këtë intensifikim personalisht nuk jam pro protestave por do të jetë që do e diskutojmë nëpër organet tona dhe do të dalim me një qëndrim të qartë”, tha Ismaili.

Nënkryetari i PDK-së, tha se vetëm zgjedhjet janë një mundësi për të dalë nga kjo krizë të cilën e ka zhytur vendin partia e Albin Kurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat