LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve

Aktuale

LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e së premtes ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike me theks të veçantë siç thuhet në njoftim mbi skandalet e fundit të partisë në pushtet.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se, kjo parti dënon edhe njëherë pamjet e shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe refuzon dhunën si mjet.

“LDK vlerëson se vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në komunikatë thuhet se nga të gjitha skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar, prandaj është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e tyre të përditshme.

“LDK do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për tu zbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi”, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat