Kastrati: Temperaturat e larta, pasojë e ndryshimeve klimatike globale

Aktuale

Kastrati: Temperaturat e larta, pasojë e ndryshimeve klimatike globale

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Pas javëve të tëra me reshje shiu e temperatura të ulëta, Kosova prej ditësh po ballafaqohet me një valë të të nxehtit e temperaturat të larta, të cilat, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, këtë javë, në vende urbane, mund të arrijnë deri 40 gradë Celsius.

Sipas ekspertit të klimatologjisë, Bashkim Kastrati, reshjet e shumta të shiut dhe vërshimet që ndodhën në Kosovë këtë vit, e tani temperaturat e larta, janë rezultat i ndikimeve të ndryshimeve klimatike globale.

“Këtë vit, majtë e verës në Kosovë supozohet se do të jenë me temperatura mbi mesataren shumëvjeçare, por, jo për shembull në vlerat ekstreme me çfarë janë duke u ballafaquar vendet tjera si Spanja, Greqia apo edhe Italia. Por, po, temperatura në Kosovë është në kuadër të trendeve globale të rritjes dhe nëse i referohemi periudhës 1991-2021, shohim se ka një rritje mesatarisht rreth 1 gradë Celsius, krahasuar me periudhën 1960-1990”, tha ai.

Në emisionin Fokus të Radio Kosovës, ekspert i klimatologjisë, Bashkim Kastrati, tha se si pasojë e ndryshimeve klimatike, janë shpeshtuar vërshimet në Kosovë, teksa janë pakësuar reshjet e borës në dimër, si dhe ato të shiut. Pakësimi i reshjeve duhet parë me shumë shqetësim,vuri në pah ai.

Kur krahasojmë periudhën 1960-1990, me periudhën 1991-2021, vërehet se sasia e reshjeve është pakësuar për rreth 7.6 për qind. Kjo mund të duket shifër e vogël, por mua më shqetëson ky pakësim i reshjeve, duke marrë parasysh faktin se Kosova ka pak vende ku akumulohet uji. Kosova ka resurse ujore të pakta. Për mungesën e ujit ne duhet të shqetësohemi, si shoqëri, dhe duhet të kujdesemi që një ditë mos të përballemi me mungesë të theksuar të tij ”, tha ai.

Tutje, në emisionin Fokus, Kastrati tha se Kosovë duhet të bëjë politika ambientale që do t’i paraprinin adoptimit me ndryshimet klimatike. Në këtë drejtim, Kosova ka bërë një hap të mirë përpara, me miratimin e Strategjia për ndryshime klimatike, ku parashihen hapat që duhet ndërmarrë me qëllim të ruajtjes së mjedisit, thekson Kastrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat