Kurti: Nevojat e industrisë dhe planprogramet e shkollave të komunikojnë me njëra-tjetrën

Aktuale

Kurti: Nevojat e industrisë dhe planprogramet e shkollave të komunikojnë me njëra-tjetrën

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 17:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi edhe sot bashkëbisedimin me bizneset. Ai mirëpriti përfaqësues nga sektori i plastikës, që përveç ndërmarrësve, të pranishme ishin edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Duke marrë parasysh që hendeku i zotësive është një ndër faktorët që po shpie edhe te emigrimi i vazhdueshëm, por edhe te problemet e ndryshme sociale, kryeministri siç u bë e ditur në komunikatë, tregoi se e kanë vënë prioritet lidhjen e arsimit me ekonominë, derisa ura mes këtyre dyjave është sistemi dual i edukimit, përkatësisht arsimimi dhe aftësimi profesional.

Kryeministri sqaroi se në bashkëpunim të ngushtë me odat ekonomike dhe tregtare, me shoqatat sektoriale dhe ndërmarrjet aktive, arsimi dual sipas modeleve të vendeve gjermano-folëse ka nisur pilotimin në vitin 2022-2023 në katër shkolla profesionale, në tri komuna, me katër profile: kuzhinier, floktar, kamerier dhe murator.

Ndërkaq tani, për shkak të interesimit të vet komunave dhe shkollave, viti shkollor 2023-2024, siç u potencua, do të gjejë vendin me 21 shkolla profesionale në 13 komuna ku do të ofrohen edhe tetë profile shtesë, përfshirë atë si rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë dhe estetist.

“Ne jemi të interesuar pra që nevojat e industrisë dhe planprogramet e shkollave të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe si Qeveri dëshirojmë të ndërmjetësojmë suksesshëm”, përfundoi kryeministri drejtuar ndërmarrësve, duke i falënderuar për kontributin dhe angazhimin në fushën e tyre.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pasi përshëndeti të pranishmit, tha se janë së bashku për të adresuar rolin kryesor të Arsimit dhe Aftësimit Profesional për rritjen e punësimit cilësor në vendin tonë, por edhe për zhvillimin ekonomik, mjedisor dhe ambiental të vendit.

Ajo cilësoi se zhvillimi i sektorëve të industrisë përpunuese është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit ngase kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e vlerës së prodhimit në vend dhe në rritjen e të punësuarve me profile të ndryshme.

Rëndësinë e zbatimit të mësimit dual e ritheksoi edhe njëherë gjatë bashkëbisedimit ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Mësimi në shkollat profesionale ofron disa mundësi, ofron mundësinë e zhvillimit të praktikës në objektin e shkollës, ku në shkolla kanë kabinetet dhe laboratorët, ku ata mbajnë mësimin profesional, punën praktike, ofron mundësinë e ofrimit të punës praktike në biznese për një kohë të caktuar dhe mësimin dual”, potencoi ajo ndër të tjera.

Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e bizneseve të Sektorit të Plastikës shfaqën para kryeministrit dhe ministreve falënderimet e tyre për rolin dhe angazhimin konkret në këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat