​Masat e BE-së, Szunyog: Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë

Aktuale

​Masat e BE-së, Szunyog: Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 13:31
Tomas Szunyog

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi sot se qëndrimi i tyre i konfirmuar nga 27 shtetet anëtare më 3 qershor, është i njëjtë. Kështu u shpreh ai, teksa u pyet për zgjedhjet në veri dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ai tha se diskutuan për çështjen e situatës në veri dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.

Szunyog: Diskutuam një sërë temash, përfshirë marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet BE-së e Kosovës

"Unë isha i ftuar nga kryesuesi i Komisioni për Punë të Jashtme për t'u takuar me Komisioni për Punë të Jashtme, unë jam gjithmonë i gatshëm dhe i lumtur të takohem me deputetët e Kuvendit. Diskutuam një sërë temash duke përfshirë marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet BE-së dhe Kosovës, zgjerimin e procesit të BE-së, padyshim që kemi prekur edhe çështjen e situatës në veri, de-eskalimin e situatës dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut dhe mendoj se patëm një diskutim të mirë, shkëmbyem një sërë informacionesh, ndaj kam një ndjenjë të mirë për këtë takim", tha ambasadori Szunyog.

Sa i përket qëndrimit të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit për zgjedhjet në veri, ai tha se pozicioni i tyre vazhdon të jetë i njëjtë si në deklaratën e 3 qershorit të 27 vendeve anëtare.

Szunyog: Pozicioni ynë është mjaft i qartë

"Epo, pozicioni ynë është mjaft i qartë. Ne kemi një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell në emër të 27 shteteve anëtare, më 3 qershor. Kjo është për ne politika e Bashkimit Evropian dhe e çdo shteti anëtar të Bashkimit Evropian", shtoi ai.

Njëjtë u shpreh edhe kur u pyet për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, për çka tha se janë të udhëhequr nga deklarata e muajit qershor.

Szunyog: Qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit është ende i njëjtë

"Përsëri, kjo deklaratë e datës 3 qershor është shumë e qartë. Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit...Nuk ka asnjë sanksion... Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, por edhe i rikonfirmuar nga Këshilli Evropian më 30 qershor, është ende i njëjtë", theksoi ai.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell më 3 qershor ka lëshuar një deklaratë, në të cilën, ndër të tjera, është theksuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat