U raportua se Vitia piu duhan në hapësirë të mbyllur, deputeti i PDK-së ia dhuron një paqetë cigare në Kuvend

Aktuale

U raportua se Vitia piu duhan në hapësirë të mbyllur, deputeti i PDK-së ia dhuron një paqetë cigare në Kuvend

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 16:28
Hisen Berisha

Për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën u raportua se është parë duke pirë duhan brenda hapësirës së mbyllur të një lokali.

Videon ku shihet ministri Vitia duke pirë duhan e ka publikuar emisioni Kiks.

E në seancën e Kuvendit të enjten, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, pasi hodhi disa akuza ndaj Qeverisë Kurti përmendi edhe rastin në fjalë të ministrit Vitia.

Ndonëse ky i fundit nuk ishte prezent në sallë, Berisha u afrua te vendi ku ulet ai dhe aty la një paqetë me cigare.

“Do të doja të ishte ministri i Bujqësisë këtu sepse është në domenin e tij që të ndalojë pirjen e duhanit në ambiente publike në hapësira të mbyllura. Dje, në media u pa se vetë ministri i Shëndetësisë e bën këtë vepër. E meqenëse ai sot nuk është këtu, e kam një malboro këtu, origjinal prej jashtit, dhe shpërndajeni te të gjithë ministrat edhe këtu në Kuvend”, tha ai.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se duhani e dëmton shëndetin dhe se provimi e shpërndarja e tij nuk është gjest për t’u bërë në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat