IKD për sesionin pranveror të Kuvendit: Katrahurë, gjuhë seksiste e rrahje

Aktuale

IKD për sesionin pranveror të Kuvendit: Katrahurë, gjuhë seksiste e rrahje

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 10:17
Pamje nga përleshja në Kuvendin e Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar pas mbylljes së sesionit pranveror të punës së kuvendit, duke thënë se ky sesion u karakterizua nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit në seancat plenare.

IKD-ja tha se puna e kuvendit u përcoll me seanca të papërfunduara dhe me vazhdime të shumta të seancave, ku bëhet e ditur se nga totali i seancave të rregullta, 41 për qind e tyre u përcollën me më së paku dy vazhdime e me më së shumti katër vazhdime.

“Përveç mungesës së kuorumit në seanca parlamentare, mungesë të kuorumit pati edhe në Kryesinë e Kuvendit. Kryesisht kjo u shkaktua nga bojkoti i njoftuar nga ana e dy nënkryetarëve të dy grupeve parlamentare opozitare. Po ashtu, Kryesia e Kuvendit vazhdon të mos jetë e kompletuar për arsye të mos propozimit të nënkryetarit nga ana e Listës Serbe”.

‘Sa i përket zbatimit të Rregullores së Kuvendit të Kosovës gjatë seancës plenare, Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa u miratuar rendi i ditës në seancë plenare për arsye që ky rend i ditës, nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesës të kuorumit. Seanca ku u shpërfaq një praktikë e tillë e shkeljes së Rregullores së Kuvendit ishte seanca e datës 13 korrik 2023, ku fillimisht nuk është votuar rendi i ditës dhe më pas është hyrë në seancë të jashtëzakonshme pa marrë miratimin formal të seancës plenare ashtu siç kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Tutje, IKD-ja, për rrahjen në kuvend tha se një praktikë e tillë e sjelljes së deputetëve është në kundërshtim me standardet e larta profesionale dhe etike, të cilat sipas tyre, janë parakusht për të ndërtuar besim të publikut në punën e përfaqësuesve dhe në integritetin e tyre.

“Në këtë situatë, pas krijimit të rrëmujës dhe përplasjeve fizike ndërmjet kabinetit qeveritar me disa deputetë të opozitës, Kryetari i Kuvendit ka thirrur brenda sallës policinë dhe ka vazhduar të mbajë seancë plenare, përkundër se në këto situata, Rregullorja e Kuvendit kërkon pezullimin dhe vazhdimin e seancës në një ditë tjetër”.

“Në anën tjetër, Ministrat e Qeverisë kanë vazhduar të injorojnë Kuvendin gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ata kanë munguar gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Këtu prijnë Zv. Kryeministrja Donika Gërvalla, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta  Hajdari dhe Ministri i Mjedisit, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj”.

“Krahas kësaj shkeljeje, edhe Kryetari i Kuvendit ka vazhduar të mos e zbatojë Rregulloren e Kuvendit sa i përket dhënies së vërejtjeve ndaj anëtarëve të Qeverisë dhe Kryeministrit kur ata mungojnë dhe nuk e njoftojnë Kryetarin për mungesën e tyre gjatë parashtrimit të pyetjeve nga deputetët. Në asnjë nga seancat plenare, siç kërkohet me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ka tërhequr vërejtje publikisht, për kabinetin qeveritar për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit dhe deputetëve”, thuhet në reagim.

Më tej, IKD-ja tha se puna e kuvendit është përcjellur me joefikasitet, ku sipas tyre, gjatë sesionit pranveror, më shumë se 70 për qind e projektligjeve janë bartur nga një seancë në tjetrën.

“Që nga fillimi i legjislaturës, ¼ e projektligjeve të proceduara kanë qenë projektligje në formën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat në më shumë se 80% e tyre janë hedhur në votim më shumë se tre herë dhe epilog final kanë marrë vetëm pas përplasjeve pozitë me opozitën, por jo si rezultat i një dialogu të mirëfilltë dhe konsensusi të plotë për miratimin e tyre”.

“Në anën tjetër, përkundër faktit që kanë kaluar afatet e parapara me Rregulloren e Kuvendit, ende nuk janë miratuar gjashtë projektligje nga viti 2021, 12 projektligje nga viti 2022 dhe gjashtë projektligje nga viti 2023”, tha IKD.

IKD, tutje tha se puna në seancat parlamentare është karakterizuar edhe nga gjuha joparlamentare, e përdorur nga anëtarët e qeverisë por edhe nga deputetët.

“Në disa raste, anëtarët e qeverisë përdorën gjuhë seksiste ndaj deputetëve, pastaj fjalët tradhtar, hipokrit, mashtrues, gënjeshtar, rrenc janë fjalët që janë përmendur nga anëtarët e qeverisë dhe deputetët, fjalë të cilat nuk përkojnë me gjuhën parlamentare dhe standardet minimale të sjelljes parlamentare”.

“Në këso situata, miratimi i një kodi të sjelljes për deputetët e Kuvendit do të duhej të ishte në agjendën e Kuvendit si prioritet. Përkundër faktit që një kod i tillë parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, i njëjti ende nuk është miratuar. Ky kod do të duhej që mjaftueshëm të përshkruajë natyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve jo parlamentare të deputetëve. Miratimi i një kodi të tillë do të shprehte vlerat e përbashkëta dhe parimet kryesore të cilat do ta orientonin dhe vlerësonin sjelljen e deputetëve”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat