Nis protesta për mbështetjen e Klan Kosovës

Aktuale

Nis protesta për mbështetjen e Klan Kosovës

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 12:10
Pamje nga protesta

Ka nisur protesta për mbështetjen e mediumit të Klan Kosovës, pas pezullimit të certifikatës së biznesit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë” është mbështetur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shoqëria civile.

Në këtë protestë të pranishëm përveç gazetarëve janë deputetët opozitarë si dhe pjesëtarë të OVL-UÇK-së, të cilët janë nisur drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protesta është duke u monitoruar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës.

Ditë më parë MINT e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit publik, ndërsa muajin qershor kishte ngritur kallëzim penal ndaj këtij mediumi.

Kallëzimi penal është ngritur mbi pretendimet se në certifikatën e biznesit , Kosova paraqitet pjesë e Serbisë, konkretisht te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia.

Në anën tjetër Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin, ku një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

Pas këtij vendimi Klan Kosova ka reaguar duke thënë se nuk do ta pranojë në asnjë rrethanë një qasje të tillë autoritare nga institucionet e shtetit, gjithashtu ka bërë të ditur se çështjen do ta dërgojë në gjykatë.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhet në njoftimin e Klan Kosovës.

Lidhur me këtë vendim të MINT-it reagimet kanë qenë të shumta si nga institucionet vendore po ashtu edhe ndërkombëtare.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në një reagim të asociacionit të postuar në Facebook.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez, për këto ngjarje tha se Qeveria e Kosovës po e zhyt vendin në liberalizimin më konservator, duke i përbuzur plotësisht vlerat e BE-së.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se vendimi për licencën e biznesit ishte ende objekt anashkalimi.

“Po e vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe u bëj thirrje institucioneve relevante që të mendojnë me shumë kujdes për çfarëdo mase të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e medias në Kosovë”, kishte shkruar Abbott në Twitter.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, sot gjatë një konference për media tha e rëndësishme është që të zbardhen të gjitha faktet.

Ajo ka thënë se duhet sqaruar se pse shtetas të Republikës së Kosovës, regjistrohen si shtetas të Serbisë dhe regjistrojnë biznes atje e më pas vazhdojnë në Maqedoninë e Veriut dhe blejnë medium në Kosovë.

“Në situatën aktuale është e rëndësishme zbardhja e të gjitha fakteve. Është më rëndësi të dihet se pse shtetas të Republikës së Kosovës me shtetësi të Republikës së Kosovës.. nisen për në Serbi, marrin shtetësi të Serbisë, regjistrojnë biznes atje për të vazhduar në Maqedoninë Veriore dhe pastaj për të ardhur në Kosovë , për tu angazhuar në blerjen e një mediumi. Dhe këto besoj për një gazetari të mirëfilltë është dashur të thuhet edhe nga pronari i Klan Kosovës të cilat nuk po i dëgjojmë”, tha ajo.

Ndërkaq, edhe sot MINT ka reaguar duke thënë se vendimi i shkallës së parë për rastin e Klan Kosovës ka qenë i drejtë, dhe që sipas tyre në dokumentin aktual të Klan Kosovës, Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë. Ministria ka potencuar se çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat