Vrasjet që tronditën Kosovën| Nikollaj e Frroku ende të pakapshëm nga drejtësia

Aktuale

Vrasjet që tronditën Kosovën| Nikollaj e Frroku ende të pakapshëm nga drejtësia

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 23:54
Bon Vivant

Kur kanë kaluar disa ditë nga dy ngjarje tragjike, dy prej të dyshuarve për vrasje, vazhdojnë të jenë në arrati. Dukagjin Nikollaj dhe Tush Frroku mbesin të pakapshëm për organet e shtetit për rastet e vrasjeve në “Bon Vivant” dhe në Klinë.

Situata në vend vlerësohet alarmante dhe sipas kryetarit të Prishtinës, pas mesnatës në kryeqytet çdo e dyta ose e treta veturë është e armatosur.
Pamje të tilla të ekzekutimeve vazhdojnë t’i tmerrojnë qytetarët e Kosovës.

Nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se 14 vrasje kanë ndodhur në Kosovë, nga janari i këtij viti e deri në korrik, pa llogaritur dy vrasjet e fundit në lokale, në Prishtinë dhe në Klinë.

Dy prej të dyshuarve të këtyre vrasjeve, Dukagjin Nikollaj dhe Tush Frroku vazhdojnë të jenë të pakapshëm për organet e shtetit, kur kanë kaluar disa ditë nga përfshirja e tyre në këto krime.

Edhe pse në arrati, avokati Tomë Gashi ka njoftuar se është autorizuar të mbrojë të dyshuarin për rastin e “Bon Vivantit”, Dukagjin Nikollaj.  

“Nga sot Dukagjin Nikollaj – Duka ka avokat. Incizimet pamje kanë…! Faktet askush mos të guxojë t’i ndryshojë – ligji do të veprojë dhe secili do të përgjigjet për atë që ka bërë!”,

Ndërkohë, pak ditë pas rastit tragjik, ka reaguar edhe lokali “Bon Vivant” në Prishtinë.

Përmes një reagimi publik ata kanë bërë thirrje që dhuna dhe krimi nuk duhet të jenë modeli i jetesës në Prishtinë, apo kudo në vend, ku kanë paralajmëruar edhe një fushatë kundër dhunës.

“BonVivant ka ndjekur me vëmendje debatin dhe kritikat publike, që në disa raste kanë ofruar reagime të shpejta dhe radikale për zgjidhjen e kësaj situate. Në disa raste, kritika është shndërruar në një lojë ku fajësia shpërndahet pa ndonjë qëllim konstruktiv. Ky lloj reagimi nuk sjell zgjidhje dhe kulturë të qëndrueshme. Ne duam të ndryshojmë këtë model dhe të krijojmë një jetë të pasur dhe të diversifikuar kulturore në Prishtinë”.

Por, situatën me vrasje e ka cilësuar si alarmante kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai ka thënë se ka marrë informata nga drejtori i Policisë se pas mesnatës në kryeqytet, çdo e dyta ose e treta veturë është e armatosur.

Ndryshe, pas këtyre rasteve, ka pasur reagime të shumta ku është kërkuar nga institucionet e shtetit të të ndërmarrin masa parandaluese, sidomos sistemi i drejtësisë, pasi që disa prej të dyshuarve kanë histori të gjatë të veprave penale, por që janë lënë të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat