Gjykimi për tentim vrasje për 30 euro borxh, njëri i akuzuar lirohet nga akuza, tjetrit i caktohet masë edukative

Aktuale

Gjykimi për tentim vrasje për 30 euro borxh, njëri i akuzuar lirohet nga akuza, tjetrit i caktohet masë edukative

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë e ka liruar nga akuza të akuzuarin Bujar Rexhaj për veprat penale të ricilësuara vrajse e mbetur në tentativë e kryer në mbrojtje të nevojshme si dhe lëndim i lehtë trupor. Ndërkaq, ndaj të miturit A.M për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, gjykata ka shqiptuar masën edukative: dërgim në institucionin edukativo-korrektues.

Sipas aktgjykimit të përpiluar më 11 nëntor 2022, aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve ishte shpallur më 10 tetor 2022 nga gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Rexhaj ishte liruar nga akuza, me arsyetimin se veprat penale në mbrojtjen e nevojshme nuk paraqesin vepër penale.

Në aktgjykim, thuhet se masa ndaj të miturit A.M., shqiptohet në kohëzgjatje prej një viti, në të cilën masë llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 18 korriku 2020 deri më 2 qershor 2021.

Në arsyetimin e aktgjykimit, thuhet se është plotësuar kushti i parë, ku vërtetohet me faktin se i mituri A.M ka kryer veprën penale të rëndë për të cilën parashihet dënimi me burgim mbi pjesë vjet. Kurse, kushti i dytë ku parashihet dënimi që të miturit më parë i është shqiptuar masa edukative ose dënimi me burgim, nuk është plotësuar, por kjo nuk kishte ndikuar me rastin e marrjes së vendimit.

Tutje, me arsyetim se kur kanë të bëjnë me të mitur të cilët kanë çrregullime të rënda të edukimit dhe kanë kryer vepër të rëndë penale edhe pa i plotësuar kumulativisht dy kushtet, mund të shqiptojë këtë masë edukative, ku në rastin konkret Gjykata erdhi në përfundim se kohëzgjatja e caktuar e masës së shqiptuar është duke marrë parasysh interesin më të mirë për të njëjtin.

Shpenzimet e procedurës penale bien në mjete buxhetore të kësaj Gjykate, kurse i dëmtuari Rrahim Shpatollaj për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë është atakuar në Apel, mirëpo kjo e fundit ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë, i akuzuari Bujar Rexhaj akuzohej për veprën penale të ricilësuar në vrasje e mbetur në tentativë e kryer në mbrojtje të nevojshme, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 12 të Kodit Penal dhe veprës penale të ricilësuar lëndim i lehtë trupor e kryer në mbrojtjen e nevojshme, nga neni 185, par. 2 lidhur me par.1, pika 14 dhe neni 12 të Kodit Penal.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 15 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë e akuzonte të pandehurin Bujar Rexhaj për shkak të veprës penale të vrasjes të mbetur në tentativë ndaj të miturit A.M.

Sipas aktakuzës, i akuzuar Rexhaj më 14 korrik 2020 në fshatin Dubravë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të miturin A.M për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një borxhi në vlerë prej afro 30 eurove, të cilin borxh pretendonte se i pandehuri ia kishte i mituri pasi që ia kishte shitur qenin.

Sipas akuzës, pasi i pandehuri Rexhaj dhe i mituri nxjerrin thikat, i pandehuri e godet të miturin nëntë herë me thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Prokuroria e ngarkonte të pandehurin Rexhaj edhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, se në përleshje e sipër, në momentin kur dëshmitari Rrahim Shpatollaj kishte ndërhyrë në mes për t’i ndarë, i pandehuri e godet me brisk edhe dëshmitarin Shpatollaj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria e Pejës të miturin e ngarkonte po ashtu me veprën penale të vrasjes së mbetur në tentative dhe ndaj tij kishte bërë propozim për shqiptimin e masës institucionale, dërgimin e tij në institucionin edukativo-korrektues.

Sipas Prokurorisë, gjatë përleshjes e sipër mes të pandehurit Rexhaj dhe të miturit, ky i fundit e godet me thikë të pandehurin Bujar dy herë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat