​Gërvalla para gazetarëve ukrainas: Ne e dimë se si është të mohohet ekzistenca juaj

Aktuale

​Gërvalla para gazetarëve ukrainas: Ne e dimë se si është të mohohet ekzistenca juaj

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 13:56
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla deklaroi se Kosova e kupton dhimbjen e luftës dhe tendencën ruse për zhdukje në Ukrainë. Ajo tha se do të mbështesin gjithmonë këtë vend dhe se është e bindur se Ukraina do të gëzojë sovranitetin dhe pavarësinë e plotë. Kështu u shpreh ajo para gazetarëve ukrainas në pritjen që u organizua nga MPJD, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Kosova e dinë se çfarë nënkupton pavarësia. Sipas saj, gjithë qytetarët e Kosovës e kanë ndjerë agresionin dhe luftën. Ajo ka kujtuar kohën e luftës në Kosovë, ku siç tregoi Gërvalla, u detyrua bashkë me familjen ta braktis Kosovën.

“Unë vetë kam qenë vetëm një fëmijë 8 vjeç kur u bëra refugjate. U detyrova të largohesha nga vendi im me nënën time dhe dy vëllezërit e mi. Gjithçka duhej të linim pas, pjesën tjetër të familjes, miqtë tanë, shkollën, lodrat, gjithçka. Ne ishim vetëm një familje ndër mijëra familje, qindra mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga Kosova, në krahasim me madhësinë e Ukrainës do të ishte deri në 10 milionë njerëz, sepse ju e dini se ne jemi vend më i vogël se Ukraina. Kur bëhet fjalë për agresionin, ne e dimë se ndjejmë në lëkurën tonë se si është të jesh objektiv i urrejtjes nga një fqinj agresiv. Ne e dimë se si është të mohohet ekzistenca juaj, historia juaj, kultura juaj, gjithçka. Ne e dimë se si është kur mundohen për zhdukjen tënde, thjesht zhdukjen tënde, dhe kujtojmë gjithashtu se si ishte kur paralajmëruam miqtë tanë se agresioni, shkatërrimi po vinte dhe kur ata nuk dëgjuan”, u shpreh ajo.

Kështu u shpreh ajo në diskutimin me gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists-in-Residence Kosovo". Gërvalla shtoi se nuk ka kompromis për pavarësi, sovranitet dhe dinjitet.

Gërvalla tha po ashtu se Kosova mbështet Ukrainën dhe është e bindur se do të fitojë.

"Kosova qëndron me Ukrainën e re, Kosova dëshiron të ju mbrojë juve dhe të festojë fitoren së bashku. Do të ju mbështesim në çdo hap të rrugës me të gjitha mjetet dhe Ukraina do të gëzojë sovranitetin e plot dhe pavarësinë e plot. Jam e bindur dhe unë e di se do ta shohim fitoren dhe do ta festojmë fitoren së bashku me ju", shtoi ajo.

Drejtori menaxherial i Qendrës Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias, Lutz Kinkel e konsideroi të mahnitshëm angazhimin e Qeverisë së Kosovë për këtë program dhe strehimin e gazetarëve ukrainas. Sipas tij, çdo gazetar duhet të ketë mundësinë të punojë pa frikë, pa ngacmime dhe pa u censuruar.

“Është e mahnitshme se si qeveria në Kosovë po angazhohet në këtë program. Mendoj se është i vetmi shtet që financon drejtpërdrejt këtë lloj programi. Ne jemi shumë krenarë për ketë. Ne jemi gjithashtu krenarë që jemi në gjendje të ndihmojmë për të mbështetur gazetarët ukrainas, sepse e dimë se në çfarë lloj vështirësish po kalojnë ata, se ata duhet të raportojnë nga zona e luftës dhe se ky informacion që ata do të nxjerrin në media është i një rëndësie jetike për audienca, jo vetëm për audiencën e tyre vendase, sepse ata duhet të dinë se çfarë po ndodh në këtë luftë, por edhe për botën e jashtme. Ne si Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) jemi themeluar në vitin 2015. Misioni ynë kryesor është të mbrojmë lirinë e shtypit dhe medias. Ne mendojmë se liria e shtypit dhe medias nuk ka rëndësi të madhe për një demokraci funksionale”, tha ai.

Gazetarja nga Ukraina, Lyndamila Mekh është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e Kosovës dhe theksoi se ky program është më i mirë në Evropë.

“Ne gazetarët ukrainas ju jemi sinqerisht mirënjohës për mbështetjen tuaj të sinqertë, mirëkuptimin dhe gjithë ndihmën ndaj secilit prej nesh pjesëmarrësve në programin Kosovar “Gazetarët në Rezidencë”. Ky program është vërtet më i miri në Evropë për punonjësit e medias që punojnë në distancë që mbajnë kontakte me mediat ukrainase”, tha ajo.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tregoi se si nisi ky program dhe mbështetjen që ka dhënë Qeveria e Kosovës. Ai shtoi se po ofrohen hapësira pune dhe ndihma të tjera për gazetarët ukrainas.

“Gjithçka filloi si 48 orë pas pushtimit rus në Ukrainë dhe erdhi nga ideja e zonjës Flutura Kusari nga ECPMF, e cila së bashku me Doarsa Kica, deputete në Kuvendin e Kosovës, bashkuan forcat me Qeverinë e Kosovës për të iniciuar këtë program. Dhe ne kemi thënë që gjatë gjithë kohës përgjigja e qeverisë së Kosovës ishte vërtet për t'u admiruar sepse të gjithë duke filluar nga zonja Gervalla dhe kryeministri e presidentja Osmani më vonë, ishin shumë të përkushtuar që programi të iniciohej sa më shpejt. Më pas u soll te ne si AGK dhe si partner implementues në nivel lokal; ne jemi një ekip i vogël në AGK, por falë mbështetjes së Qeverisë Gjermane të cilës i jemi mirënjohës, arritëm që të kemi një ekip që kujdeset për kolegët, gazetarët dhe miqtë ukrainas siç i quajmë tani, kështu që qëndrimi në Kosovë është i rehatshëm falë bashkëpunimit që kemi. Ideja kryesore e programit është që ata të mbeten gazetarë dhe ne jemi shumë të lumtur dhe krenarë që mund t'u ofrojmë hapësira pune dhe lloj-lloj ndihma të tjera në mënyrë që ata të mund të tregojnë të vërtetën për Ukrainën nga Kosova”, deklaroi ai.

Rexha shtoi se 12 gazetarët e strehuar në Kosovë shkruajnë çdo ditë për mediat e tyre në Ukrainë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat