​Kurti: Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë

Aktuale

​Kurti: Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 16:45
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Me këtë marrëveshje, siç u tha, informacioni i kategorizuar do të ruhet dhe nuk do të zbulohet, përveç atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryeministri Albin Kurti tha se koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjegjshme.

Kurti: Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë

"Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë të tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake. Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e qeverisë të merr vendime me të cilat garantohet pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial të shtetit. Detyra shtetërore këto të cilat jo rrallë kërkojnë edhe ruajtjen e informacionit si konfidencial. Mbrojtja e atillë e informacionit parashihet me ligj dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar e dikton një gjë të tillë. Prandaj sot së bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë, do të ruhet ashtu siç parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do të zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë", tha Kurti.

Kurti shtoi se kjo marrëveshje parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur dhe mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar.

Kurti: Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur

Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara. Çdo qeveri e matur dhe e përgjegjshme, kupton që çdo veprim i kundërt rezulton me ndëshkueshmëri, sepse bëhet fjalë për shkelje të ligjit. Zbulimi i informacionit është jetik për një shtet, qoftë ai i fushës së sigurisë, mbrojtjes, tregtisë, industrisë, teknologjisë apo punë të jashtme, ruhet dhe mbrohet përderisa një gjë të tillë përcakton ligji, mjeti që mbron interesat shtetëror e jo interesat individual apo preferencat personale”, shtoi shefi i ekzekutivit.

Edhe ambasadori Jeff Hovenier tha se kjo marrëveshje çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, përmes shkëmbimit të informatave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hovenier: Jemi këtu për të shënuar një moment historik të rëndësishëm

“Jemi këtu për të shënuar një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Si kryeministri Kurti, ashtu dhe unë e kemi nënshkruar këtë marrëveshje SHBA-Kosovë për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Kjo marrëveshje krijon një bazë për ndarjen e informacionit të klasifikuar dhe në këtë botë të ndërlidhur të shekullit të 20-të aftësia e partnerëve për të ndarë informacionin shpejt dhe pa probleme është jetike për vendimmarrjen në kohë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe përmbyllja e kësaj marrëveshjeje është e rëndësishme jo vetëm për shkak të kulmit të këtij koordinimi dhe negociatave më shumë se dy vjeçare, por ajo përfaqëson edhe përkushtimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim të vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën”, tha ai.

Më tej, diplomati amerikan u shpreh se të dyja vendet kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar.

Hovenier: Dy vendet tona kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, dy vendet tona kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar të njëri-tjetrit, duke i hapur derën shkëmbimit të këtij informacioni. Kjo marrëveshje avancon aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përmes shkëmbimit të informacionit me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi qëndruar të patundur në përkushtimin tonë për sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Kjo marrëveshje është gjithashtu synimi ynë i përbashkët për zhvillimin e suksesshëm të forcës së sigurisë dhe forcës profesionale ndërvepruese të mbrojtjes territoriale multietnike të NATO-s dhe mbështet drejtpërdrejt synimin tonë të përbashkët për ta parë Kosovën të pavarur plotësisht në strukturat e sigurisë evropiane. Është një qasje e tërë e qeverisë që do të forcojë kundër-terrorizmin dhe bashkëpunimin rajonal midis dy vendeve tona”, shtoi Hovenier.

Ambasadori amerikan tha se kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin ndaj qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta, e po ashtu edhe të ardhmes së sigurt të të dyja vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat