“Kanë qenë 22 autobusë, të gjithë kishim frikë mos policia po na maltreton fëmijët”, mërgimtari kujton ditën kur ishin nisur për në Hungari 30 vite më parë

Aktuale

“Kanë qenë 22 autobusë, të gjithë kishim frikë mos policia po na maltreton fëmijët”, mërgimtari kujton ditën kur ishin nisur për në Hungari 30 vite më parë

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 11:06
Hysen Aliu 

Hysen Aliu mërgimtari nga Medvegja, i cili jeton dhe vepron në Suedi tash e 30 vite, ka treguar historinë e tij.

Në vitin 1982, nga Medvegja erdhi për të studiuar në Kosovë, ndërsa 10 vite më vonë, Hysen Aliu mori drejt kurbetit.

“Ajo kohë u kanë kur e kam braktisë vendlindjen. Në vitin 1992, pas të gjitha atyre masave të dhunshme që Serbia i bëri popullit tonë në Kosovë, u detyruan shumica e njerëzve ta braktisin edhe Kosovën dhe ndër ta isha edhe unë me familjen time. Më kujtohet mirë ajo ditë, është një nostalgji për të gjithë ata të cilët e kanë përjetuar, kur e kemi kaluar kufirin e ish-Jugosllavisë dhe jemi futë në brendësi të Hungarisë, të gjithë e kanë ndjerë vetën një çlirim nga dhuna e Serbisë dhe me kujtohet si sot se ishin rreth 22 autobusë, të cilët udhëtonin jashtë Kosovës”, rrëfen Aliu.

Ai thotë se të gjithë që ndodheshin nëpër ata autobusë kishin frikë se mos policia serbe do t’i ndalë e maltretojë.

“Frika e të gjithëve ishte se mos po na maltretojnë, mos po na ndalojnë e maltretojnë fëmijët, e familjet nëpër Serbi, por para se me u futë në kufirin e Merdares na ndaloi policia e ish-Jugosllavisë atëherë dhe u futën brenda duke na pyetur se a jeni të gjithë për drejtim të Suedisë, të gjithë i përgjigjëm se po, dhe menjëherë u larguan. Do me thanë që kjo ishte e planifikuar dhe e organizuar edhe kjo dhunë për ne shqiptarët”, tregoi Aliu.

Ai thotë se sa herë flet për atë kohë, e kujtojnë me emocione, ku të gjithë ata që janë në mërgim i kuptojnë këto emocione sepse kanë qenë në gjendje të njëjtë.

“Gjithmonë është e dhimbshme dhe kur flasim për këtë dhe gjithmonë kur kemi emocione edhe të gjithë ata që janë në mërgim e kuptojnë këtë dhe kanë qenë sigurisht në të njëjtën gjendje. Dhimbja është shumë e madhe për atdheun sepse shkon diku ku nuk e din se ku po shkon, nuk e njeh gjuhën, kulturën dhe je në një vend i huaj, je i braktisur, je i përdhunuar, je i përndjekur nga një shtet që ta ka marrë mendja se ishte shteti i përbashkët”, rrëfen mërgimtari Hysen Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat